Arsim

Çdo vit e më pak nxënës / Mbyllen shkolla në rrethe, s’ka të dhëna për mësimin me dy turne (por vijon)

Nga Gazeta Si- Shifrat zyrtare deri më tani tregojnë se nga klasa e parë e deri në klasën e 12 janë regjistruar 350 mijë nxënës.

“Janë deri më tani 350 mijë nxënës por pa llogaritur fëmijët e kopshteve dhe nxënësit e shkollave profesionale sepse për to vazhdon akoma regjistrimi”, thonë për Gazetasi.al burime nga Ministria e Arsimit.

Ndërkohë, në vitin shkollor 2022-2023 janë regjistruar në arsimin parauniversitar 432.870 nxënës, duke shënuar një ulje prej 4.7 për qind, krahasuar me vitin shkollor 2021-2022, por bashkë me fëmijët e kopshteve dhe shkollave profesionale.

Për herë të parë në këtë vit shkollor, në klasën e parë janë pranuar edhe ata që janë 5 vjeç por që brenda vitit do të mbushin 6, çka sipas ekspertëve, është parë si një mënyrë për të sfumuar numrin e ulët të nxënësve që do të regjistroheshin në shkolla.

Ndërkohë, ende nuk ka një shifër se sa shkolla në vend do të vazhdojnë të bëjnë mësim me dy turne, ndonëse shkollat që pritet të hapen këtë vit do të ndihmojnë në reduktimin e mësimit me dy turne.

“Janë rreth 40 shkolla në rang vendi që priten të hapen këtë vit për të reduktuar mësimin me turne”.

Por situata nuk paraqitet aspak e mirë në rrethe, ku shumë shkolla janë mbyllur apo kanë një numër të vogël regjistrimesh.

Në Kelmend, dy shkolla nuk kanë marrë asnjë regjistrim në klasë të parë ndërsa në arsimin e mesëm dhe 9-vjecar ka një numër të ulët të nxënësve.

Vitin e kaluar ishin rreth 16 mijë nxënës ndërsa këtë vit janë rreth 15. 700 nxënës.

Edhe në Bulqizë ka pasur një rënie të numrit të nxënësve, si në klasat e para ashtu edhe për klasat e dhjeta.

Në fshatin Kokrevë të Librazhdit shkolla fillore është mbyllur e po ashtu shkolla në fshatin Bletëz të Gramshit.

3 nga 7 gjimnazet e Gramshit nuk hapën klasën e dhjetë këtë vit për shkak se nuk u plotësua numri i nxënësve nëpër klasa.

Në bashkinë e Librazhdit do të ketë rreth 750 nxënës më pak se viti paraardhës.

Ndërsa për vitin shkollor 2022-2023 janë ulur në bankat e shkollës 322 nxënës më pak se vitin shkollor 2021-2022.

Në zyrën arsimore të Elbasanit për vitin shkollor 2023-2024 u regjistruan 1200 nxënës në klasën e parë dhe 930 në klasën e 10. Në dy vitet e fundit është shënuar një rënie me 250 nxënës më pak në klasën e parë dhe 400 nxënës më pak në klasën e 10.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë