Franca fitoi ndaj Belgjikës në një raund intensiv gjysmëfinaleje në Rusi, por fansat ishin të hutuar nga lideri i Rolling Stones në turmën e spektatorëve…
Mick Jagger i ka bërë njerëzit të flasin rreth pamjes së tij “ të athët” dhe “ egërshane”, ndërsa shijonte ndeshjen gjysmëfinale të Botërorit mes Francës dhe Belgjikës. Dukej se 74-vjeçari nuk po merrte mjaftueshëm kënaqësi ( duke përdorur një prej këngëve emblematike të bandës rrok “Can’t get no satisfaction”) kur kamera e fokusoi në tribunën e Stadiumit të Shën Peterburgut, i fshehur pas një kapeleje të zezë.
Me të ishin edhe djemtë e tij, James 32 vjeç dhe Lucas, 19. Paraqitja e këngëtarit u vërejt nga përdoruesit e Twitter-it dhe shkaktoi furi në komente, të cilët ishin të interesuar për reagimin e Jagger ndërsa shënohej gol, për të kuptuar se cilin ekip kishte vendosur të mbështeste ylli i rrokut. Kjo është edhe frika më e madhe e tifozëve të futbollit, sa herë që Jagger shfaqet në stadium për të ndjekur ndeshje. Jo vetëm tifoz i thekur i futbollit, por lideri i grupit legjendar të rrokut, Rolling Stones ka fituar famë si ndjellës tersi për çdo ekip të parapëlqyer prej tij.
Ndërsa ndeshja dukej e tendosur mes dy ekipeve që pretendonin finalen e madhe të Rusisë, në rrjetet sociale dukej se loja ishte bërë vetë Mick Jagger.
Paraqitja e Jagger-it në stadium erdhi një ditë pas mbylljes së turit të Rolling Stones në Varshavë. Më herët, ai u pa duke shijuar pak kohë të lirë me të bijtë në një restorant.
Diku tjetër në ndeshje, fansat pikasën praninë e Presidentit francez Emmanuel Macron dhe mbretit të Belgjikës Filipit dhe mbretëreshës Matilda. Një fans shkruante : “Dua ta fitojë Franca këtë ndeshje, por vetëm nëse Macron përbetohet se nuk do të bëhet i padurueshëm.”
Jagger dhe Brazili, rroku kundër sambës
Legjenda e Rolling Stones Jagger njihet se lëshon mallkimin në çdo anë kombëtareje të cilën e mbështet duke e ndjekur, veçanërisht Brazilin.
Ylli i Rrokut ka një reputacion mes mbështetësve të yjeve të sambës se mallkon ekipin kombëtar sa herë i sheh duke luajtur. Kështu Brazili gjeti një justifikim për rezultatin zhgënjyes në ndeshjet e grupit ndaj Zvicrës, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 1-1; Tersi i Mick Jagger-it, i cili u pa në stadium ndërsa Brazili luante ndaj Zvicrës, në ndeshjet e grupit.
Kur Jagger u shfaq me djemtë e tij dhe prezantuesen braziliane Luciana Gimenez në stadium, fansat nxituan të komentonin: “Sot nuk është dita për të postuar foto të atij tersit” Jagger ishte në stadium edhe katër vjet më parë , kur Brazili u poshtërua nga Gjermania me rezultatin 7 me 1.
Jagger-it iu desh madje të mbronte veten në mediet sociale duke shkruar: “Mund të marr përgjegjësi për golin e parë të Gjermanisë, por jo për gjashtë të tjerët!” Ndeshje të tjera që ia kanë shtuar reputacionin si tersndjellës futbollistik rrokerit përshijnë humbjen e ShBA-së ndaj Ganës më 2010-ën. Ai mbështeti Brazilin në disfatën e tyre ndaj Holandës në po të njëjtin vit dhe ishte në stadium për të ndjekur Anglinë që humbiste me rezultatin 4-1 ndaj Gjermanisë.
Ylli i Rrokut është bërë aq i famshëm në Brazil sa fansat kanë vizatuar një tabelë me Mick Jagger që mban veshur një fanellë të Argjentinës për ta kaluar mallkimin te rivalët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.