Art dhe Kulture

Camaj agjent? ASH: Debati s’ka të bëjë me vlerat letrare

Martin Camaj, një figurë e rëndësishme e letrave shqipe, prej disa ditësh është vënë në qendër të opinionit publik, lidhur me publikimin e disa faksimileve, që e implikonin atë me shërbimet sekrete.

Ka qenë studiuesi Auron Tare që ka publikuar një studim se shkrimtarët Martin Camaj dhe Ernest Koliqi kanë qenë të përzier me veprimtari spiunazhi. Studimi ka ngjallur debate në rrethin e studiuesve dhe kritikëve letrarë, të cilët e quajnë këtë një mënyrë për të zhvlerësuar kontributin e tyre në kulturën dhe letrat shqipe.

Lidhur me debatin e krijuar ka reaguar për herë të parë Akademia e Shkencave. Sipas ASH-së, debati nuk ka të bëjë me vlerat dhe kontributet letrare dhe shkencore të këtyre personaliteteve që po diskutohet, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi.

Ndër të tjera, ASH thotë se “krijimtaria, kontributet dhe vlerat e trashëgimisë letrare, kulturore e shkencore janë për Akademinë e Shkencave kriter themelor për vlerësimin e personaliteteve të botës shqiptare. Ne do të mirëprisnim çdo debat për një problematikë të tillë me objekt të mirëfilltë shkencor”.

Akademia e ka rikonfirmuar vlerën e këtyre kontributeve dhe në mënyrë të përmbledhur ka zgjedhur të shqiptohet me fjalët e akademikut Ismail Kadare për Martin Camaj.

“Është një nga shkrimtarët më të mirë të kombit shqiptar, me po atë vlerë në prozë sikurse në poezi, dy hapësira të mëdha, me të cilat ai u përpoq të zëvendësonte atdheun e munguar. Ishte po aq i fisëm në veprën e tij, sa edhe në vizionin për raportet njerëzore brenda familjes së shkrimtarëve. Këto të fundit, për fat të keq, vazhdojnë të jenë kaq munguese në jetën tonë”, do të shprehej shkrimtari i madh, Ismail Kadare për Martin Camaj në një intervistë të dhënë kohë më parë në revistën “Hylli i Dritës”.

Ndërkohë, një reagim ka ardhur ditën e djeshme edhe nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila është vënë në krah të shkrimtarit.

Në faqen zyrtare të saj është publikuar një poezi e Camajt, “Trajta”, një ndër poezitë më të bukura të tij, e cila vjen nën recitimin e poetes Mimoza Ahmeti.

Studiuesit dhe kritikët e letërsisë kanë dalë me qëndrimet e tyre lidhur me këtë debat të nxehtë të ditëve të fundit.

Studiuesi Ardian Ndreca e ka cilësuar Taren si megaloman, ndërsa ka theksuar se historia na mëson se Koliqi dhe Camaj ishin në krahun e drejtë. Sipas tij, shkrimi i Tares “nuk kishte asnjë fill logjik, nuk kishte as erë arsyeje historike, veç disa dokumente të pakontekstualizueme, e mandej shumë hamendësime që dy rreshta ma poshtë paraqiteshin si të vërteta historike të provueme e ma tej rishtas makinacione dashakeqëse prej sigurimasi”.

Ndërsa, studiuesi i veprës së Camajt, Behar Gjoka, mendon se këto janë kërkime dytësore për një personazh, si Martin Camaj që ka kontribuar në ngritjen e degës së Gjuhës Shqipe në Mynih të Gjermanisë.

Gjoka e quan një debat të kahershëm, që nëse i referohemi për këta shkrimtarë i bie të ndalemi edhe tek emra të tjerë, si Kadare, Agolli dhe Qose, të cilët kanë qenë anëtarë të Partisë Komuniste edhe janë komunistë në vepër.

Poeti dhe prozatori Martin Camaj

Martin Camaj (Temal, 1925-1992, Gjermani) i konsideruar, si poeti patriotik apo folklorik nga kritika letrare, ka pasur shumë kontraste në jetën e tij. Ai jetoi mes dy botëve, në zonën malore, Temal i Shllakut dhe vendet ku emigroi. Studioi në kolegjin Saverian në Shkodër, por nuk iu nënshtrua bindjeve, që përcillte regjimi komunist. Prandaj në vitin 1948, kur ishte 23 vjeç arratiset për në Jugosllavi, ku nisi studimet “Gjuhë-Letërsi Sllave dhe latine”. Për t’i thelluar më pas në Romë, ku edhe u bashkua me Ernest Koliqin. Martin Camaj gjatë kohës, që punoi si lektor në Universitetin e Romës, ishte edhe kryeredaktor i revistës “Shejza”. Por, pas dhjetë vitesh qëndrimi në Itali zhvendoset në Mynih të Gjermanisë, ku themelojnë katedrën e gjuhës shqipe. Vdiq në moshën 67-vjeçare nga një sëmundje e pashërueshme, pa e parë vendlindjen e tij. Disa nga veprat që ka botuar janë: “Djella”, “Rrathë”, “Loja mbasdrekës”, “Kandili argjandi”, “Dranja”, “Njeriu më vete e me të tjerë” etj.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë