Lajme

Cakaj përgjigjet për diplomatët e shkarkuar. Balla: 20 janë pak!

Ministri i Jashtëm Gent Cakaj, ka raportuar sot në Komisionin e Jashtëm për rezultatet e diplomacisë në çështjen e integrimit në BE gjatë vitit 2018, ku u përball me pyetjen befasuese të Rudina Hajdarit, e cila i kërkoi llogari për shkarkimin e 20 diplomatëve.

Ministri i ri menjëherë ka justifikuar deklaratën e një dite më parë, duke saktësuar: “E para citimi i deklaratës sime nuk ishte saktë, për faktin që kam vendosur të shkarkoj 20 punonjës. Unë kam thënë se me një pjesë të punonjësve është bërë shkëputja e marrëdhënies së punës dhe një pjesë do bëhet transferimi. Por nuk janë bërë 20 shkarkime nga puna. Pikërisht ju duhet të jeni të lumtur që vazhdon reforma në shërbimin diplomatike. Në diplomacinë tonë në botë ka një disbalancë ndërmjet numrit dhe rezultatit”.

E teksa Cakaj e justifikoi vendimin me lartësinë e duhur të figurës së diplomatit, që 20 të shkarkuarit nuk e kishin, kreu i Grupit të PS, Taulant Balla e mori në mbrojtje të komanduarin e Ramës si ministër të Jashtëm.

Gjatë diskutimeve, Balla tha se 20 të shkarkuar janë  shumë pak dhe pritej më shumë nga PS në reformimin që po i bën Cakaj diplomacisë.

“Duhet ta keni në praktikën tuaj se ky është komisioni që do keni punën shumë intensive në javët në vijim por jo vetëm kur ju kërkon komisioni por në frymën e ligjit duhet të jeni edhe ju i gatshëm t’i drejtoheni komisionit për konsultime. Ky është një proces që nuk mund ta kryejë vetëm qeveria por në bashkëveprim me Kuvendin e Shqipërisë, – u shpreh Balla. – Ky komision është një komision që drejtohet nga opozita, do vazhdojë të drejtohet nga opozita. Sa më shumë hapësirë për opozitën në këto procese konsultimi, aq më e mirë është edhe vendimmarrja. Ju lutem në mënyrë të vazhdueshme edhe me shkresa dhe informacion të mbahet i informuar komisioni. Ju lutem mos u komplesoni nga kritikat dhe sulmet që vijnë nga opozita, në formën më pozitive nga zonja Hajdari dhe më negative nga ish-deputetë për ndryshimet në trupën diplomatike. Mua më duken pak 20. Jemi larg shërbimit konsullor i cili tju shërbejë siç duhet motrave dhe vëllezërve tanë”, deklaroi Balla.

Më pas, socialisti kërkoi që Ministria të sillte sa më shumë informacion në pritje të marrjes së vendimit për çeljen e negociatave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë