Lajme

Cakaj informon Mogherinin për situatën politike

Në ditën kur po zhvillohej protesta e opozitës në Tiranë dhe ku deputetët po dorëzonin mandatet e tyre në Kuvend, ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj zhvilloi një takim në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.
Sipas njoftimit zyrtar të MEPJ-së, Cakaj vlerësoi kontributin e veçantë të Mogherinin për nxitjen e përparimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, veçanërisht rolin e rëndësishëm në mbështetje të perspektivës evropiane të rajonit tonë.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së vlerësoi arritjet e deritanishme në pesë prioritetet e vendosura nga Bashkimi Evropian, sidomos atë në fushën e drejtësisë. Gjithashtu mësohet se Mogherini tregoi interes në lidhje me situatën e fundit në Shqipëri dhe theksoi nevojën për pjekuri politike dhe përgjegjshmëri kombëtare në këtë periudhë kyçe të procesit të integrimit.
Cakaj ka rikonfirmuar vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të vijuar me ritmin e reformave në mënyrë që të konsolidohen më tej rezultatet e qëndrueshme në agjendën evropiane që do të mundësojnë hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE. Ai vlerësoi se vendimi për fillimin e negociatave do të japë një impuls të ri jo vetëm për vendin tonë por do të inkurajojë edhe një dinamikë më pozitive në rajon.
Në përfundim të takimit Cakaj dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini u dakordësuan për të intensifikuar ndërveprimin dhe bashkëpunimin gjatë muajve të mbetur në funksion të arritjes së objektivit prioritar të Shqipërisë për hapjen e bisedimeve për anëtarësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë