Qëndrimi për dekretet e ministrave presidenti Ilir Meta do ta shpallë brenda afateve kushtetuese dhe se për ministrat e rinj është në pritje të informacioneve të institucioneve shtetërore. Nga qyteti i Kavajës, presidenti Meta në një deklaratë të fundit ka sqaruar arsyet se pse nuk është shprehur për shkarkimin e ministrit të Jashtme, Ditmir Bushati, si dhe nuk ka firmosur propozimet e ministrave të tjerë jo politik.
“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën për sa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”, deklaroi presidenti.
Më pas kreu i shtetit ka theksuar se për të dhënë përgjigje përfundimtare mbi dekretet është në pritje të informacioneve të institucioneve shtetërore sa i përket figurës së ministrave të rinj të propozuar.
“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigja e institucioneve që ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike, me transparencë maksimale”, theksoi Meta.
Të premten skadon afati për dhënien e përgjigjes mbi propozimet e kryeministrit për caktim ministrash. Nga 9 propozime për emërime dhe shkarkime, Meta firmosi më 4 janar pro largimit të zv.kryeministres Senida Mesi, të ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, të ministrit të Bujqësisë, Niko Peleshi, të ministrit të Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe të ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Sonila Qato.
Por ai nuk i shkarkoi të gjithë, por la pezull propozimin për lirimin nga detyra të kryediplomatit Ditmir Bushati.
Ndërsa mori vendim menjëherë për emërim si ministra të deputetëve të PS-së të propozuar si anëtarë të kabinetit të ri qeveritar. Meta firmosi pro emërimit të Erion Braçes si zëvendëskryeministër, të Elisa Spiropalit si ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, të Eduard Shalsit si ministër të Shtetit për Sipërmarrjen dhe të Bledi Çuçit si ministër të Bujqësisë.
Ndërsa ka lënë pezull propozimet për postet e tjera ministrore në dikasteret kyçe si Gent Caka si ministër i Jashtëm; të Belinda Balluku si ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë; të Besa Shahinit si ministre të Arsimit; të Anila Denaj si ministre e Financave; të Elva Margaritit si ministre të Kulturës.
Përplasja më e madhe është për emrin e Gent Cakës i propozuar si ministër i Jashtëm, pasi po kontestohet edhe nga opozita. Caka që mban postin e zv.ministrit të Jashtëm, është nga Kosova, por prej një viti shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





