Nga Megi Iskurti-Nga të gjitha gatimet tradicionale që spikasin në Shqipëri, byreku është nyja lidhëse e çdo zone.
Byrektoret në Shqipëri janë shumë të përhapura dhe mund t’i hasësh në çdo qytet, gjithandej përgjatë perimetrit të rrugëve të ndryshme.
Me gjizë, me spinaq apo me çdo lloj varieteti mbushës, byreku është një ushqim që është gjithnjë në konsum, sidomos nga shtresa e mesme dhe e varfër e popullsisë.
“I konsumoj sepse janë të shijshëm dhe me çmim të lirë. Nuk kam mundësi të blej avocado çdo mëngjes.”- tha jo pa ironi një kliente që po priste në rradhë për të blerë byrek tek “Buka e Artë Qato”, dyqan i cili i ka dedikuar një sektor të veçantë vetëm byrekut.
Një nga shitëset e turnit në këtë dyqan na tregoi që kërkesa për byrek është e lartë gjatë gjithë ditës dhe ata nuk e lënë kurrë sektorin e byrekëve bosh pa e zëvendësuar me të tjerë.
Pandemia dhe mësimi online nga shtëpia ka ndikuar në përqindjen e konsumit të këtij të fundit.
“Qato” na tregoi që është ulur me rreth 60% konsumi i byrekut për faktin që shumë studentë janë nëpër rrethe dhe janë larguar nga Tirana.
Në mesin e rrugës së Kavajës, një byrektore e vogël që gëlonte nga klientët, shiste rreth 15 tepsi me byrek përgjatë harkut të një dite.
Ishte hapur së fundmi dhe Xh.S, e zonja e këtij biznesi, nuk kishte patur kaq shumë pritshmëri në momentin që e kishte hapur si biznes.
“Duke qenë së ka shumë byrektore në treg, mendoja se nuk do kisha shumë punë.
E hapa sepse është një ndër bizneset që për të nxjerrë produktin nuk kërkon shumë përbërës por edhe sepse nuk kërkon njohuri nga disa fusha të ndryshme.
Ajo që të nevojitet jane vëtëm disa taktika prej amvise. Për ne gratë në moshë të mesme ky lloj biznesi është mënyra më e lehtë për të siguruar disa të ardhura sepse ne jemi rritur me byrekun e gjysheve dhe nënave tona”- tha ajo.
Sipas saj njerëzit e konsumojnë në masë byrekun jo vetëm për shkak se është një ushqim i shpejtë dhe me çmim ekonomik por edhe sepse e kanë kultivuar shijen e tij ndër vite dhe tani e kanë shumë të vështirë të heqin dorë nga ai.
Ajo na tregoi që aty shkojnë shumë vajza dhe gra që kërkojnë të punësohen si punëtore.
“Unë nuk kam mundësi t’i punësoj sepse biznesi im është i vogël dhe fitimet e mia janë të mjaftueshme vetëm për të kaluar muajin.
Më vjen keq kur shoh vajza të reja që janë papunë dhe e shohin këtë lloj biznesi si zgjidhje.”- citoi Xh.
Përgjatë rrugës së Elbasanit, ka shumë kioska të vogla që shesin byrek.
“E kishim shumë të vështirë gjatë periudhës së pandemisë sepse njerëzit kishin frikë të blinin ushqime të gatshme nga të tjerët për shkak se i trembeshin virusit.
Fitimet tona nuk janë kushedi sa të mëdha gjatë përditshmërisë por është një ndër të vetmet biznese që nuk të lë në baltë pasi ka konsum të përditshëm.
Për një familje mesatare shqiptare është mjaftueshëm sa për të shtyrë muajin.
Jemi njerëz të thjeshtë, punëtorë të zakonshëm, mirë që e kemi dhe këtë biznes sepse kur je pa shkollë nuk ke shumë alternativa të tjera.”- tha një burrë rreth të pesëdhjetave që po shiste në një nga këto kioska.
Shumë turistë të cilët kanë vizituar Shqipërinë kanë spikatur byrekun dhe e kanë konsideruar atë si ushqimin e tyre të preferuar në gjithë gamën e ushqimeve tradicionale shqiptare.
Një ndër ta ishte dhe çifti i blogerve Dontai and Kaory të cilët erdhën nga Londra për të qëndruar një periudhë një mujore në Tiranë.
Në shumë prej videove të tyre ku ata jepnin përshtypje të ndryshme mbi Shqipërinë, vlerësonin me 10/10 byrekun shqiptar dhe ua sugjeronin atë të gjithë ndjekësve të huaj.
Ata treguan që kishin mbetur shumë të habitur në momentin që kishin parë çmimin e byrekut i cili në raport me shijen që kishte, shitej shumë lirë dhe kur kishin parë kaq shumë byrektore në Tiranë.
Gjatë karantinës shumica e byrektorëve u mbyllën , iu dorëzuan pandemisë dhe përfituan pagën e luftës.
Një nga këto biznese që nuk veproi në të njëjtën mënyrë tradicionale ishte byrektore “Studenti” e lokalizuar pranë Stacionit të Trenit e cila vendosi të bënte delivery.
Prej 6 vitesh që operon në treg, dërgesat e para ka nisur t’i bëjnë marsin e vitit të kaluar, pak ditë para se të godiste pandemia.
“Ne gjithmonë kemi patur shumë klientë por nisja e dërgesave në shtëpi e rriti me rreth 30% numrin e tyre.
Na kishin pyetur shumë se përse nuk bëjmë delivery, e kërkonin këtë gjë dhe ne vendosëm ta marrim në konsideratë.
Njerëzit janë të angazhuar dhe fakti që ne mund të ua dërgojmë ushqimin aty ku janë, u shkurton atyre shumë kohë.”- tha njëri nga dy pronarët e biznesit.
Ai na tregoi që gjatë pandemisë kjo gjë u kishte “shpëtuar biznesin” duke qenë se me oraret e kufizuara njerëzit nuk kishin shumë kohë për të lëvizur dhe kërkonin që të ua dërgoje ushqimin e tyre aty ku ishin. Kjo ishte një lehtësi për ta.
“Sigurisht që pati rënie të konsumit gjatë karantinës por me anë të dërgesave që ne bënim në shtëpi arritëm që të siguronim fitime.
Turistët e huaj gjithashtu shprehen që u pëlqen ideja që po bëjmë dërgesa për një ushqim tradicional. Ata e pëlqejnë këtë gjë.”
Për shkak se pëlqehen nga populli, për shkak të çmimit ekonomik apo për shkak se puna është më e lehtë në këtë sektor, janë disa nga arsyet që shpjegojnë numrin e lartë të këtyre bizneseve në Shqipëri.
Lidhja e shqiptarëve me byrekun mund të ketë nisur nga kujtimet e ëmbla kur e gatuanin gjyshet por ka mbetur gjallë nga çmimi i tij i lirë në një shoqëri relativisht të varfër që megjithatë ka vendosur t’i dorëzohet mënyrës së re të depërtimit në treg deri tek konsumatori…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.