Ekonomi

Buxheti 2026 në Kuvend, ndryshon destinacioni për 505 mln lekë

Nga Gazeta ‘SI’ – Projektbuxheti i vitit 2026 u prezantua për herë të fundit në Kuvend, teksa pritet të kalojë në votim nen për nen dhe në tërësi.

Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë Milva Ekonomi, tha se janë pranuar kërkesat e 7 komisioneve për të shtuar shpenzimet për disa institucione me vlerë 504.9 milionë lekë, që do të mbulohen brenda tavaneve të parashikuara në buxhet.

Ndryshimet përfshijnë shtesë fondesh për Kushtetuesen, KLSH-në dhe disa organe të tjera të drejtësisë. Në Institutin e Statistikave shtohen shpenzimet kapitale me 36.9 milionë lekë për realizimin e Censusit të Bujqësisë.

Këto ndryshime do të përballohen brenda tavaneve buxhetore tha Ekonomi.

“Totali i shtesave në buxhet prej 504.9 milionë lekësh do të përballohet nga këto burime: 436.9 milionë lekë pakësohen në Ministrinë e Financave në programin “Ekzekutimi i pagesave”, në shpenzime korrente, 70 milionë lekë pakësohen në grupin 87, programi “E-Qeverisja”, në shpenzime korrente”, tha Ekonomi.

Sa i takon 50 amendimeve të opozitës Ekonomi tha se cenonin parametrat fiskale pasi rrisnin me 278.9 mld lekë shpenzimet.

“Këto amendime shkonin në 278.9 miliardë lekë, që ishte dhe më e madhe sesa 10% e GDP-së, kërkesa që vinte nga e deputetët e opozitës. Në fakt shpenzimet tona zënë 31.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe kjo rritje kaq e lartë që kërkonte opozita cenonte pikërisht konsolidim fiskal të gjithë buxhetit të shtetit që ishte paraqitur përpara komisionit të ekonomisë dhe financave nga qeveria. Për këtë arsye, të gjitha nuk u pranuan amendimet që erdhën nga opozita, duke pasur parasysh se cenonin pikërisht të konsolidim fiskal dhe nuk ishin të argumentuar në mënyrë të qartë, burimin se nga do të realizoheshin shpenzimet”, tha Ekonomi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë