Nga Gazeta ‘SI’ – Ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi para komisionit të Ekonomisë projektbuxhetin 2026, ku u ndal dhe tek Paketa e re Fiskale.
Ai tha se janë 8 projektligje që do të diskutohen në kuadër të kësaj pakete, ku më të rëndësishme vlerëson kompensimin e fermerëve,
“Më e rëndësishme natyrisht mbetet skema e fermerëve, përmes të cilët do të kompensohen të gjithë fermerët me normën 10%, duke ju lënë në duar fermerëve minimalisht rreth 1.5 miliardë lekë në vit ose 15 milionë euro”, tha Malaj.
Nisma tjetër është ajo e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme që do të nisë të zbatohet nga janari dhe do të zgjasë deri në fund të 2026-ës.
“Norma e rivlerësimit e cila do të jetë 5%, do të zbatohet për gjatë gjithë vitit 2026”, tha ministri.
Pa dhënë shumë detaje Malaj tha se “Paqja Fiskale”. është një hap drejt një marrëdhënie të re biznes-shtet.
“Do të kemi zbatimin e pakës fiskale, si një reformë që synon të ndërtojë një marrëdhënie të re besimi midis biznesit dhe shtetit”, tha Malaj.
Ndër të tjera, ministri tha se ky buxhet synon të mbështesë më tej reformimin e pensioneve dhe sitemin digjital.
“Vëmendja jonë dhe kryefjala e këtij projektbuxheti është padyshim rritja e mirëqenies sociale, duke vijuar më tej me nxitjen për modernizimin e infrastrukturës, përsosjen e sistemeve digjitale, por edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor përmes arsimit dhe punësimit cilësor. Themelore e buxhetit është pa diskutim reforma e pensioneve, që do të nisim në vitin e ardhshëm dhe do të shtrihet deri në vitin 2030. Të moshuarit, kjo kategori e nderuar, do të marrë mbështetje direkte financiare nga buxheti i shtetit”, tha Malaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



