Amfiteatri i Butrintit ka shërbyer në njëzet vitet e fundit, për të njëjtin qëllim ndërtuar mijëra vite më parë, si skenë për shfaqjet teatrore, të festivalit Ndërkombëtar “Butrinti 2000”. Davosi, është shtëpia e Forumit Ekonomik Botëror, prej vitit 1971.
Megjithëse të dy vendet janë strehë e siteve të trashëgimisë kulturore me rëndësi kombëtare apo pasuri botërore si në rastin e parkut arkeologjik në jug të Shqipërisë, askujt nuk do t’i shkonte ndërmend të bënte një lidhje mes fshatit zviceran dhe vendit që legjendat thonë se u themelua nga Enea, në shekullin e tetë para Krishtit, nëse nuk do të kishte qenë për vizionin e artikuluar të zotit Martin Mata, bashkëkreu i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, do të menaxhojë për dhjetë vite shërbimet në Parkun Kombëtar të Butrintit.
Në një intervistë televizive, z.Mata, u përpoq t’i qetësonte zërat e trazuar pas lajmit se një nga pasuritë kombëtarë të trashëgimisë kulturore, por tashmë pasuri botërore nën mbrojtjen e UNESCO-s, u jepet me koncesion të huajve.
“Qëllimi ynë është ta kthejmë Butrintin në Davosin e Trashëgimisë Kulturore” , deklaronte zoti Mata, pa dhënë më shumë hollësi sesi do ta shndërronte parkun arkeologjik, që sipas historianëve dhe arkeologëve, në shekullin e katërt, para Krishtit ishte një port kaonian, për fiset e Epirit.Por pas mijëvjeçarëve, tashmë një qytet antik me vlerë të jashtëzakonshme arkeologjike, historiani Auron Tare kundërshton që ai të jepet me koncesion, sikur të ishte një port detar.
Përtej komunitetit të historianëve dhe arkeologëve, sytë e qytetarëve të thjeshtë nisën të ktheheshin nga Butrinti, pasi në vitin 2000 u shndërrua në një qytet-teatër, të paktën gjatë korrikut sa zgjat edhe festivali “Butrinti 2000”,themeluar nga Qendra Kombëtare e Teatrit Mesdhetar.
“Butrinti u ringjall prej Festivalit Teatror. Kjo jetë e dytë e Teatrit Antik të Butrintit na solli trupa teatrore nga e gjithë bota”, thoshte Maks Velo, i pamunguar në secilin edicion të zhvilluar aty.Madje vitin e kaluar, modelja e shndërruar në kantautore, Carla Bruni mbajti koncertin e saj recital, titulluar “French Touch”,përballë një publiku të zgjedhur ku nuk mungonte kryeministri Rama apo bashkëshorti i saj, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy.
Por ç’të përbashkët mund të ketë parë z.Mata tek Butrinti dhe Davosi? Padyshim që kontributet e AADF-së në Shqipërisë kanë qenë të dukshme, ku përme financimeve janë realizuar dhe restauruar një sërë veprash publike si Pazari i Ri, Pazari i Korçës, ai i Krujës dhe siç premtohet me financimin e tyre do të marrë jetë edhe Qendra për Inovacion e Teknologji, tek Piramida.
Davosi, një qytezë e përbërë nga dy fshatra, në Zvicrën Lindore, ndodhet 1,560 metra mbi nivelin e detit. Qyteti përmendet në dokumentet historike të 1160 dhe 1213, i banuar atëkohë nga banorë që flisnin gjuhën romanshe, por më vonë në shekullin e 13-të u banua nga popuj gjermanisht folës, nga Valaisi i epërm. Më 14320shin u bë kryeqyteti i Ligës së 10 Juridiksioneve, por i përkiste Austrisë nga 1477 deri më 1649-s. Pas 1860-s, u bë një resort luksoz shëndeti dhe në shekullin e 20-të u zhvillua si një qendër sportesh dimërore.
Më 1971 u bë vendi pritës i Forumit Ekonomik Botëror, një takim i përvitshëm që mbahet në dimër, i përqendruar rreth diskutimeve të problemeve kryesore ekonomike, politike e sociale. Studiuesit e globalizimit kanë përdorur termin “kultura e Davosit”, për të përfaqësuar grupn elitë të liderëve ndërkombëtarë të biznesit, politikës dhe të shoqërisë civile që marrin pjesë në takimet e përvitshme.
Nga pikëpamja e trashëgimisë kulturore Davosi është shtëpi e shtatë siteve të listuara si trashëgimi zvicerane me rëndësi kombëtare
Këto trashëgimi përfshijnë Arkivat e Qytetit, Muzeun Kirchner, Grosses Jenatschhaus(një lloj shtëpie bamirësie e njohur si Pfrundhaus) dhe Varrezat e Pyllit. Një sërë hotelesh dhe spa-sh janë të përfshira në këtë listë.Davosi është një komunitet turistik dhe më 2014 kishte të punësuar 8853 njerëz, në bashki, kryesisht në sektorë parësore, dytësore apo tretësore ekonomike, si edhe në kompani të vogla biznesi dhe hotele.
Klima e Davosit mbahet për “fuqi shëruese të ajrit të rrallë malor” si ideal për trajtimin e turbekulozit, që coi në hapjen e ssanatoriumeve dhe spa-ve në qytetin alpin. Këto sanatoriume u bënë subjekt për romanin e Nobelistit Thomas Man “Mali Magjik”, që frymëzoi edhe themeluesin e forumit.Forumi e përshkruan Davosin si një “vend pushimi dhe rekreacioni, kuu njerëzzit thithin ajrin e pastër të malit për të rikthyer shëndetin e tyre dhe për të karikuar mendjet”.
Profesor Schwab e zgjodhi Davosin sepse donte që pjesëmarrësit në samit të ndjeheshin “mjaftueshëm të relaksuar për të folur qartë, ndërsa ruanin atmosferën e qëllimit dhe të respektit të ndërsjellë”.Davos u mbajt si “mjaft i rehatshëm” për të mos penguar pjesëmarrjen, por mjaft i largët për t’i dhënë pjesëmarrësve “një ndjesi izolimi”. Në atë kohë, në qytet u ndërtua edhe një qendër konferencash. Por si mund të kthehet Butrinti mijëravjeçar në një qendër turistike, me hotele e spa luksoze apo qendër ekonomie?
Duke iu rikthyer edhe njëherë historisë, romakët e përdorën portin e Butrintit si një bazë për fushatën e tyre ushtarake në Ballkan në shekullin e 2-të. Në shekullin që pasoi, ai u bë koloni e ushtarëve të vjetër të Jul Çezarit. Më vonë përsëri në sundimin romak, qyteti kishte kishën e tij dhe kjo në një vend të dukshëm.Por në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e 10-të, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit. Vetëm në shekullin e 18-të ata e braktisën Butrintin, pasi humbën me turqit. Në vitet 1850, kur Edward Lear kaloi në këtë rrugë, ajo ishte e shkretë.
Butrinti u injorua deri në vitin 1920, kur misioni italian me në krye Luigj Ugolinin mbërriti në Shqipëri. Në vitin 1924 Ugolini zgjodhi majën e kodrës ilire, Foinik, 20 milje në veri të Butrintit, për fushatën e tij të parë. Por kjo ishte më pak premtuese nga ç’e priste Ugolini, kështu në vitin 1928, me shpresën e zbulimit arkeologjik të kohës së Eneas, e cila lidhej direkt me qëllimet propagandistike të Romës, ai filloi punën në Butrint. Në atë kohë Butrinti ishte një kodër në një peizazh shkretëtire. Brenda tre muajve Ugolini kishte zbuluar zgjatime të mëdha të mureve të poligoneve grekë rreth qytetit si dhe porta të mëdha dhe tepër fine.Gërmimi më i madh megjithatë ishte në faqen lindore të kodrës, ku ai zbuloi teatrin. Teatri i shekullit të IV, me ndenjëset e spektatorëve të ruajtura mirë dhe me skenën, përbënin një sensacion sidomos kur u pasuan nga zbulimi i statujave, zotave të Butrintit dhe nga një kokë e Apollos.
Duke punuar me ritme të shpejta, Ugolini gërmoi dhe nxori në pah Tempullin e Asclepulus-it pas teatrit, një bllok banjash romake përballë tij, pjesë e një pallati të hershëm bizantin; përbri kanalit Vivari një vend pagëzimi i ruajtur mirë dhe kjo e bizantit të hershëm, e cila kishte një dysheme mozaik të shekullit të V dhe shumë monumente të tjera. Ugolini punoi me pasion deri sa vdiq në vitin 1936 nga malaria. Më 1992, Butrinti u shpall sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
“Të idealizosh një si Butrinti nuk kërkon shumë mund”, thuhet në planin e menaxhimit të Parkut, tashmë i miratuar.E megjithëse në dokumentin e shkruar, natyra e Parkut të Butrintit krahasohet me atë të Stonehenge në Angli apo Meteora në Greqi dhe thuhet se do të merren praktikat më të mira të meanxhimit si në site të ngjashme, zoti Mata foli pikërisht për Davosin, që megjithë famën për ajrin shërues malor, sportet alpine dhe forumin ekonomik botëror, nuk ka të njëjtën natyrë dhe ekspertët ngritën fort zërin, kur ministrja Kumbaro dhe lejen që brenda parkut të ndërtohej një ngrehinë betoni, që do të shërbente si një shitore për pije për turistët.
Në planin e menaxhimit flitet për interpretim të ri të sitit, të Kalasë Veneciane, Kullës Trekëndore, hapjen e një qendre të re vizitorësh, varka pasagjerësh, platforma lundruese. Sipas këtij plani të përbashkët të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës – që ndryshe nga sa thonë zërat kritikë se bëhet fjalë për një bankë, ajo insiston se është fondacion jofitimprurës -, thuhet se komuniteti vendas do të përfitojë ekonomikisht nga ky plan menaxhimi për një dekadë.
Edhe pse z.Mata ka sqaruar se Parku mbetet në pronësi të shtetit shqiptar dhe për menaxhim janë dhënë vetëm shërbimet, nuk dihet se çdo të vijë përtej ndërhyrjeve restauruese të disa pikave apo pastrimit të bimësisë. Sipas Matës, Butrinti ka nevojë për 7 milionë dollarë, për mirëmbajtje dhe restaurim dhe sipas tij, AADF nuk do të rritë numrin e vizitorëve, pasi siti nuk ka kapacitet të mbajë 1 milionë turistë.
Ndërkohë, ekziston edhe një fondacion, i quajtur “Butrint”, i themeluar nga Lordi Jacob Rothchild, një vit pasi ai u përfshi si trashëgimi botërore e UNESCO-s.Nga ai vit e deri më 2012, thuhet në uebsajtin e Fondacionit, ka punuar për të siguruar mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit natyror, gërmimet, restaurimet dhe ruajtjen e lokacioneve dhe strukturave historike dhe si ehe ekspozimin e objekteve të zbuluara në proces.
Por ky fondacion pushoi se qeni një entitet operues më 2012 dhe deri më 2016-n u bë një fondacion mbledhës fondesh, duke mbështetur dhe asistuar të tjera organizata për të ndërmarrë projekte në Butrint dhe roli aktual i tij është mbështetja e AADF për adoptimin e Planit të integruar të Menaxhimit për Parkun Kombëtar.
Arkeologu Neritan Ceka ka rrëfyer në një intervistë të pak ditëve më parë se i kishte sugjeruar një plan menaxhimi për Butrintit ish-ministres Kumbaro, katër vjet më parë.Bëhej fjalë për idenë e krijimit të një fondacioni të llojit British Heritage, që është gjysmë privat, përsa i përket mbledhjes së fondeve, dhe gjysmë shtetëror për mënyrën e trajtimit të monumenteve dhe administrimit të tyre. “Siç e ka zakon kjo gjeneratë e politikanëve të emëruar, e mbështeti propozimin tim, por duke marrë vetëm pjesën e parë”, ka rrëfyer Ceka, duke zbuluar se përgatitja e projektit iu ngarkua një zyre tjetër projektesh, me gjasë ajo që ka projektuar muzeun “Shtëpia me Gjethe”.
“Me megalomaninë tipike anglo-sanksone ata angazhuan në këtë projekt vetëm arkeologë të huaj. Rezultati ishte një Plan Menaxhimi për Parkun e “qytetit Greko Romak të Butrintit”, ku nuk përmendet asnjë emër i vetëm shqiptari...Projekti u prezantua nga një bablok i panjohur anglez, i shoqëruar nga buzëqeshja e vazhdueshme inkurajuese e ministres II të kulturës(Margariti). Në diskutimin tim e quajta atë plan si aeroplan pa motor, por e konsiderova si të keqen më të vogël për Butrintin, në një vend ku detyrohemi prej kohësh të zgjedhim gjithmonë midis dy të këqijave. Thashë se do të pranoja që Butrintin ta administronte edhe Djalli, sepse sidoqoftë do të ishte më mirë se administrimi i sotëm!”
Por mesa duket qeveritë shqiptare do t’u besojnë gjithnjë të huajve dhe siç thoshte kryeministri dy vjet më parë, veprat madhore të kulturës nuk mund të bëhen pa PPP, sepse buxheti i shtetit është i pamjftueshëm.Megjithatë, vite më parë, ministrja e Kulturës Kumbaro e shënonte tek arritjet numrin rekord të vizitorëve në Parkun e Butrintit,duke përllogaritur rreth 1500 të tillë çdo ditë.
Të ardhurat nga biletat, sipas Matës, tani në krye të planit të menaxhimit janë 500 mijë dollarë, por Butrinti ka nevojë siç thotë ai për të paktën pesë apo shtatë milionë dollarë. Si do të rritë prurjet e parave Parku Kombëtar pa cenuar natyrën e tij arkeologjike? Ndoshta takimet e UNESCO-s, do të zhvillohen çdo vit në Butrint apo aty do të marrë jetë, si në Davos një Forum Botëror i Trashëgimisë Kulturore. Peizazhi është piktoresk dhe natyra premton shumë, në vizionin e menaxherëve të rinj. Davosi është kritikuar si shumë elitar, ku të pasur e të pushtetshëm mblidhen sikur bëjnë diferencën, mbase edhe Butrinti do të jetë i paarritshëm për vizitorët e thjeshtë, që duan të zhyten në historinë e antitikitetit, pas dhjetë viteve. S/B
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.