Ekonomi

Butrinti me menaxher të huaj privat, ekspertët: Cenohet siguria dhe identiteti kombëtar

Sabina Veizaj -“Nëse një fondacion grek ofrohet për menaxhimin e Gjirokastrës, do ta miratojë Ministria e Kulturës?” iu drejtua me një pyetje provokuese Auron Tare, ministres Elva Margariti gjatë tryezës ku po diskutohej Plani i Integruar i Menaxhimit të Butrintit, për të kuptuar se me të vërtetë modeli i menaxhimit të Parkut të Butrintit do të jetë një model i replikueshëm për të gjithë Parqet e Trashëgimisë Kulturore të vendit.

Lexo edhe:
Kush do e marrë Butrintin? “Të mirat” e projektit që askush nuk i shpjegon

Pyetja që nuk mori përgjigje, ngriti të gjithë shqetësimin e specialistëve dhe profesionistëve të arkeologjisë se trashëgimia kulturore shqiptare duhet menaxhuar nga shqiptarët, jo nga të huajt për çështje të sigurisë dhe ruajtjes së identitetit kombëtar.
Gjatë prezantimit, Ministrja Margariti vuri në dukje se mënyra e re e menaxhimit të një parku të rëndësishëm si Butrinti do të jetë në formën e një qendre rrathësh koncentrikë, që do të shërbejë si motor që do të gjenerojë zhvillim ekonomik dhe nuk do të jetë më një zhvatës i vazhdueshëm i taksapaguesëve shqiptarë.

Por Auron Tare, i cili në vitet 1994-2005 ka qenë përfaqësues i Fondacionit "Butrinti" duke drejtuar të gjitha çështjet që kishin të bënin me krijimin e Parkut Kombëtar të Butrintit si Pasuri Botërore e UNESCO-s dhe bashkautor i Planit të Parë të Menaxhimit të Parkut, gjykon se “qendra të tilla të rëndësishme shkojnë përtej çështjeve ekonomike, punësimit, përtej çështjeve të turizmit, ato kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë dhe të identitetit kombëtar. Është shumë e rëndësishme që vetë shqiptarët të menaxhojnë identitetin e tyre kombëtar.”

Auron Tare dhe profesor Neritan Ceka

Ministrja Margariti bëri me dije se në bazë të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore, Parku i Butrintit do të menaxhohet përmes një fondacioni të posaçshëm që do të ngrihet mandej dhe do të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave dhe Qeveri. Fondacioni do të jetë jofitimprurës, pra të gjitha të ardhurat do të mbeten për Parkun.
Aktualisht, sipas Margaritit, financuesi i Planit të Menaxhimit që është Fondi Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit ka propozuar një partner të mundshëm për krijimin e Fondacionitr të Posaçshëm.

Diskutimet për këtë pikë qenë të thekshme, ku ekspertët e specialistët të përfshirë në diskutim, u shprehën kundër. Ata argumentuan se propozimi nga financuesi është konflikt i pastër interesi dhe e dyta; modeli i menaxhimit nga një fondacion i vetëm i huaj nuk gjendet në asnjë vend të botës, pasi pasuria kulturore menaxhohet nga vendasit dhe jo të huajt.
Presidenti i Shoqërisë që prodhoi Planin, Davide Prince sqaroi ekspertët se ndërtimi i një plani të tillë nga të huajt bëhet për të kapur mundësitë e fondeve të financimit pasi në botë lëvrohen 80 mln paundë për trashëgiminë kultuore, nga të cilat menaxhuesit aktualë shqiptarë nuk kanë pasur aftësi që të përfitojnë.

“Fondacioni ofron aftësi për të kapur mundësitë e munguara”, u shpreh Prince.
Për profesor Neritan Cekën, dokumenti i Planit të Menaxhimit të Integruar të Butrintit është një dokument i megallomanisë anglosaksone, i cili gjëja e parë që ka bërë, është fshirja e çdo gjëje që është shqiptare.

“Butrinti është vlerë kombëtare, është edhe nën mbrojtjen e UNESCO-s, është një kontribut i përbashkët i arkeologëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë dhe kjo ka qenë një praktikë e gjithëkahershme. Ka filluar si një gërmim arkeologjik italian ku ka qenë prezent gjithmonë një arkeolog shqiptar që ka qenë Hasan Ceka, është vazhduar me 1944-1990 (tërësisht shqiptare) e mandej në bashkëpunim me universitetet greke, angleze dhe italiane. Gjithë kjo është fshirë dhe në atë plan nuk ka asnjë kontributor shgqiptar”, tha profesor Ceka për Gazetën “Si”.

Ai e cilësoi projektin si një "Vademecum". Është një program i mirë, tha ai, është një punë serioze e bërë mbi kontributin e mëparshëm, por që për pjesën shqiptare është fshirë. “Kanë kuptuar filozofinë e Ministrisë sonë të Kulturës që do t'i fshijë të gjitha emrat dhe të mbeten vetëm anonimët”, u shpreh zoti Ceka.

Ky plan menaxhimi, për të është një aeroplan pa motorr, i cili nuk ngrihet dot sepse i mungon pjesa që përcakton statusin.

“Nuk e dimë se çfarë është. Është një fondacion, por nuk dimë statusin, nuk është as PPP, as koncesion i pakërkuar, nuk është as mashkull as femër, ne i themi në arkeologji "hermafrodit", që është steril dhe nuk prodhon. E dyta; ajo që duket është të marrësh thelën mbi bisht. Nëse donin të merrnin një model eksperimental të kishin marrë Lezhën. Ka një kontribut të madh arkeologjik, por nuk prodhon. Po të marrim Butrintin, i cili prodhon gati 1 mln euro në vit vetëm nga biletat, nuk është risi. Të marrësh një motorr që punon vetë e t'i ndërrosh vetëm markën. Kjo është absurde”, tha profesor Ceka.

Ai e gjykon gabim të rëndë vendosjen e Ministres së Kulturës në krye të bordit dhe propozon që fondacioni i menaxhimit të jetë publik, jo privat.

Mandej profesor Ceka ngre disa pyetje për marrëdhëniet e shtetit me menaxhuesin e parkut.
“Cili është raporti me shtetin, si do të kontrollohet, nuk ka "day-one", pra praktikën kur fillohet puna, nuk ka rregullore, kush do ta drejtojë, kushtet në të cilat do të zgjidhen anëtarët e bordit? Është një material në proces, ka kushtuar 250 mijë dollarë, çdo studio shqiptare do ta kishte bërë shumë më mirë, do ishte e orientuar më nga shqiptarët”, shprehet ai

Kurse Tare mendon se ka ardhur koha për një koncept të ri menaxhimi të Butrintit, por sipas tij, propozimi i ardhur nuk është korrekt në dhënien e administrimit të një qendre si Butrinti një fondacioni të huaj privat.

“Do ta shikoja si modeli francez dhe ai i Malit të Zi që e kemi në rajon, apo si Anglia që ka disa fondacione publike që operojnë si Sh.A, që operojnë jashtë strukturës shtetërore, por i përgjigjen publikut”, tha Tare.

Për të, është në rregull që Ministria të krijojë një fondacion për menaxhimin e aseteve kulturore e shkëputur nga shteti, por të jetë publike dhe me përfaqësi nga shumë aktorë si psh. Banka Botërore, UNESCO, vetë Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit, etj.

Pra, të menaxhohet dhe drejtohet nga shqiptarë me ekspertizë të huaj.

Programi i propozuar për Taren çalon. Nuk sjellë asnjë risi, ka gjuhë teknike akademike dhe nuk jep zgjidhje për përkthimin e kësaj gjuhe në terren.

Ai bëri me dije se edhe ICOMOS, organizatë ndërkombëtare për monumentet e kulturës ku ne bëjmë pjesë, nuk është dakord me parashtrimin e këtij koncepti të planit të menaxhimit.
Edhe arkeologë të tjerë të pranishëm në diskutimet për Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit nuk ishin dakord me mënyrën e menaxhimit dhe ngritën shumë pyetje. Sipas tyre, në program është përjashtuar pjesa e kërkimit shkencor.

Luan Bërzhita, kreu i Institutit të Arkeologjisë, u shpreh se shqetësimet ndaj Planit janë ato që kanë të bëjnë me arkeologjinë.

“Nuk ka asnjë shpejgim se cili do të jetë roli i kërkimit shkencor, prezenca e Institutit, ne aty kemi asete. Cilat do të jenë rregullat e lojës. Kjo kërkon rregullim ligjor”, u shpreh Bërzhita.

Gjatë diskutimeve ndërhyri edhe Zamir Dedei, kreu i Zonave të Mbrojtura, i cili la të kuptohet se plani nuk ishte konsultuar me Ministrinë e Mjedisit dhe të Turizmit.

Arkeolog Skënder Muçaj u shpreh se "plani që lexova m'u duk sikur e trajtonte Butrintin si një ishull të izoluar". "Popullsia përreth duhet të ishte kontributor dhe përfitues”, tha ai.
Sipas tij, nëse vërtet modeli do të ishte marrë nga menaxhimi i Pompeit siç u përmend nga Prince dhe ministrja e Kulturës, do të kishte përfshirë në menaxhim të gjitha zonat përreth; Finiqin, 40 Shenjtorët etj, për ta zgjeruar zonën e menaxhimit të aseteve për të kontribuuar dhe përfituar komuniteti sa më shumë.

Plani për Menaxhimin e Integruar të sitit të Butrintit e ka fillesën tre vite më parë, por vetëm në 2018-n u bë publik nga Ministria e Kulturës, pasi Fondacioni Amerikano-Shqiptar i Zhvillimit ndërtoi qendrën funksionale në Butrint.

Projekti është financuar nga AADF me një vlerë prej 250 mijë dollarësh, ndërsa Plani u përgatit nga kompania britanike Prince+Pierce në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe partnerë të tjerë publik dhe privat. Në referencë të ligjit të ri për trashëgiminë kulturore në vend, drafti final do t'i nënshtrohet dëgjesës publike para miratimit nga Këshilli i Ministrave.
Fondacioni Amerikano Shqiptar i Zhvillimit është një organizatë shumëvjeçare që zbaton projekte drejtpërdrejt dhe është e fokusuar në zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme të tregut të lirë dhe të një shoqërie demokratike në Shqipëri.

Fondacioni ka disa projekte në fushën e trashëgimisë kulturore në Shqipëri duke bashkëpunuar ngushtësisht me qeverinë dhe Ministrinë e Kulturës. Kapitali aktual i fondacionit është 300 mln dollarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë