Politike

Bushka nën hetim nga SPAK/ Rama: E pakonceptueshme që kryetarja e Komisionit të Ligjeve e merr vesh nga televizori

Nga Gazeta ‘Si’– Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste deklaroi sot se, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike.

Në dëgjesën e grupit parlamentar të PS me deputeten dhe kryetaren e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, Rama u shpreh se, “këtu duhet të marrim një përgjegjësi për faktin se sot në debatin publik ka vetëm dy palë, njëra që duartroket dhe brohoret sa herë që shfaqet “gijotina”. Sipas asaj pale të gjithë janë për burg, të gjithë janë për litar, të gjithë janë për t’u vrarë dhe tjetra është pala që sulmon në mënyrë banditeske organet e reja të drejtësisë dhe që shenjestron me libër shtëpie prokurorët dhe gjykatësit që bëjnë punën e tyre duke filluar nga drejtuesi i SPAK-ut, i cili ka të gjithë mbështetjen dhe solidaritetin tonë për sa i përket të gjithë baltës që ka marrë dhe merr familjarisht”.

Por, shtoi Rama, “mungon një pozicion konstruktiv, mungon një palë konstruktive që duhet të jetë edhe garante e pavarësisë së gjyqësorit, por duhet të jetë njëkohësisht edhe garante e lirive, të drejtave, standardeve demokratike”.

Sepse, vijoi Rama, “përndryshe biem në kurthin e së kaluarës dhe për mua është e pakonceptueshme që kryetarja e Komisionit të Ligjeve të Kuvendit të Shqipërisë, pa hyrë fare në meritën e çështjes, pa diskutuar fare a ka a s’ka të drejtë akuza që e përfshin atë roman thuajse 400 faqe e merr vesh nga televizori dhe e merr vesh duke dëgjuar gazetarët specialë”.

“Se ne kemi prokurori speciale, kemi gjykatë speciale, kemi dhe ca gazetarë specialë, të cilët disponojnë sekrete hetimore, të cilët disponojnë ushqim që iu vjen nga stacioni i trenit për t’u hedhur në pazarin e madh të gjësë së gjallë. Dhe për t’u bluar pastaj nëpër ato udhëkryqet e rrugaçërisë nokturne ekran më ekran. Kjo është e papranueshme”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë