Arsim

Bursa prej 40 mijë lekësh nga qeveria nuk funksionoi: Në Fakultetin e Gjeologjisë numri i regjistrimeve përsëri i ulët

Nga Gazeta Si - Maturantët që do të studiojnë në programe prioritare do të mbështeten me një bursë mujore sa paga minimale që është 40 mijë lekë gjatë gjithë viteve akademike por me kusht që pas diplomimit të punojnë tre vite në Shqipëri.

Por, pavarësisht bursës që ofrohet për studentët që zgjedhin të studiojnë në këto programe, interesi tek të rinjtë për tu regjistruar në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave, ku të 5-ta programet e këtij fakulteti janë shpallur si programe prioritare ishte i ulët.

“Ajo që vura re ishte se në raundin e parë nuk pashë ndonjë efekt të VKM-së së qeverisë për bonusin”, thotë për Gazetasi.al Vasil Jorgji, dekan i Fakultetit të Gjeologjisë.

Ai tregon se vjet janë regjistruar gjithsej 55 studentë në raundin e parë ndërkohë që çdo program  studimi ka 50 kuota, që do të thotë se në total janë 250 kuota.

Këtë vit, edhe pse çdo student do të marrë një shumë prej 40 mijë lekësh çdo muaj, numri i regjistrimeve vazhdon të jetë po njësoj.

“Këtë vit janë regjistruar 54 studentë. Deri më tani Inxhinieria Gjeologjike dhe Inxhinieria e burimeve Minerare janë me nga 4 studentë të regjistruar në raundin e parë ndërsa Gjeomjedisi ka vetëm 7 studentë”, thotë Jorgji.

Dekani shton se megjithë numrin e ulët të regjistrimeve, nuk ka vend për rrezik që të mbyllet asnjë program duke qenë se fakulteti i gjeologjisë nuk është një fakultet që i plotëson kuotat që në raundin e parë.

“Ne shpresat i kemi tek raundi i dytë dhe më pas tek raundi i lirë. Në raundin e parë aplikuan 874 maturantë për 250 vende, ndërsa në Raundin e dytë aplikuan 216 maturantë për 196 vende dhe nëse duan të regjistrohen, të gjithë mund të regjistrohen në 3 nga programet  e studimit duke qenë se ka mjaftueshëm kuota lirë”.

5 programet e Fakultetit të Gjeologjisë janë:

-Inxhinieri Gjeologjike

-Inxhinieri e Burimeve Minerare

-Inxhinieri e Naftës dhe Gazit

-Inxhinieri e Gjeoinformatike

-Inxhinieri Gjeomjedisi

3 programet me më pak studentë të regjistruar deri më tani janë Inxhinieria Gjeologjike, Inxhinieria e Burimeve Minerare dhe Inxhinieria e Gjeomjedisit.

Me vendimin e qeverisë, të prezantuar nga ish-Ministrja e Arsimit Evis Kushi, studentët që duan të ndjekin programet prioritare mund të marrin bursë mujore sa paga minimale që është 40 mijë lekë në muaj.

Për të nxitur maturantët të ndjekin këto programe studimi është vendosur të hiqet dhe kriteri i ruajtjes së notës mesatare.

Në VKM-në e mëparshme, maturantët për të vazhduar që ta merrnin edhe vitin e dytë edhe vitin e tretë bursën, duhej të ruanin mesataren që kishin nga shkolla e mesme. Ndërkohë që tashmë është hequr ky kriter. Thënë kjo, edhe nëse një student bie nga mesatarja, ai do të vazhdojë të mbështetet me bursë edhe vitin e dytë, edhe në vitin e tretë, pasi mesatarja nuk është më kriter, por me kushtin që kur të diplomohen të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin kontribut për 3 vite.

Fushat e studimit që janë shpallur prioritet kombëtar janë: Arsimi, Arte dhe Humanizëm, Shkenca natyrore, matematikë dhe statistikë, Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim, Bujqësi, pyje, peshkim dhe veterinari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë