“Unë jam Ramadan Nishori, një burrë, një babë që po mundohet me ndërtu një jetë normale”. Kjo është fjalia, që Ramadan Nishori nga Drenasi, e fillon rrëfimin e tij para një audience të madhe në Prishtinë, ku kujton momentet e përdhunimit seksual nga policia serbe, në shtatorin e vitit 1998, në kulmin e një ofenzive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Ramadan Nishori, është burri i parë që flet hapur historinë e tij dhe Nacionale, e sjell më poshtë të plotë gjithë këtë rrëfim:
“Unë jam Ramadan Nishori, një burrë, një babë që po mundohet me ndërtu një jetë normale”, e fillon rrëfimin ai.
“E kam bashkëshorten që më ka mbështet gjatë gjithë jetës dhe tre fëmijë që janë drita e syve të mi dhe janë gjithçka për mua.
Unë sot, dua që njerëzit të më shohin si një njeri që kam kaluar nëpër shumë gjëra. Jam mundu shumë, por nuk jam thy kurrë.
Unë nuk dua që njerëzit të më shohin me keqardhje për dhunën që kam përjetuar.
Dua të më shohin me respekt, si një njeri që ka luftu shumë, për me mbijetu. Si një njeri që shumëherë jam rrëzu, por prapë jam ngritur në këmbë.
Unë jam sot këtu që të mos mbetem rob i së kalumes.
Atë fund shtatori 1998 nuk do ta harroj kurrë. Në atë kohë isha 22 vjeçar. U patëm largu prej shtëpisë dhe u patëm vendosë te dajtë në Negroc. E patëm liruar shtëpinë. Kështu, më 26 shtator u bë një ofenzivë në fshatin Negroc.
Ne të rinjtë, u detyruam të largohemi nga familjet dhe u vendosëm në grykën e Baicës. Të nesërmën më 27 shtator, fatkeqësisht edhe aty na rrethuan forcat ushtarako policore serbe dhe filluan të ndanin të rinjtë e familjes, burrat dhe na ngarkuan nëpër kamionë dhe na dërguan në stacionin policor në Drenas.
Në kamionë, na mëshonin, me automatë, shkelma, grushta, na shanin, na fyenin, na pyetshin për UÇK-në.
Pas pak kohe, filluan me na i bë testin e dorëzave të parafinës dhe diku afër mesnatës më erdhi rendi mua.
Kam hy, e kam bë testin e dorëzve të parafinës dhe tash duhej me pritë në korridor, kanë qenë ato dhomat që na merrnin në pyetje.
Ata kanë qenë policë civil. Ka qenë edhe një shqiptar që punonte me ta, e njihnin krejt. Atë ditë e ka pasë rolin e përkthyesit. Duke pritë në korridor aty, kah endeshin policia na rrihnin. Kanë ardhë dy policë me uniforma, më kanë kapë prej krahësh, më kanë ngrehë zhag dhe me futën në një banjo. Aty ndodhi më e keqja, më e keqja që mund t’i ndodhë një njeriu. Kurrë nuk do ta mendoja se do të më ndodhte mua.
Njëri më dhunoi.
Duke u përgatit i dyti për dhunë, nga britmat e mia ai shqiptari që ka qenë aty i ka rënë derës, ka hy brenda dhe më ka nxjerr prej aty. Më kanë marrë dhe më kanë shti në atë zyrën ku na marrshin në pyetje. Po mu, atë ditë nuk më kanë marrë në pyetje më. Po policët civilë filluan të më kërcënonin, se kjo çka të ka ndodhë ty, nuk guxon kurrë në jetë me i tregu dikujt.
Shqiptari që punonte aty më përcolli deri te dera e stacionit. Të nesërmen, më 28 shtator, ata e kishin bë një listë, na thirrën me emra dhe mbiemra, na hipën në autobus dhe na sollën në burgun e Prishtinës.
Aty, keqtrajtimet më çnjerëzore të mundshme. Aty kam ndejtë diku rreth tre muaj e gjysmë.
Prej aty më kanë transferuar në burgun e Lipianit. Edhe aty keqtrajtime që nuk mundet me ia marrë mendja e njeriut. Gjatë kohës së bombardimeve patën ardhë mjekë dhe gardianët bashkë.
Na patën thënë, se kush don me dhënë gjak do t’i japim bukë më shumë. Ka pasë aty që kanë dhënë gjak, por bukë nuk ia dhanë asnjë kafshore më shumë.
Diku në fillim të majit, na trasnferuan në burgun e Dubravës. Atje e përjetova masakrën. Një masakër shumë e tmerrshme. Po për mua në atë kohë, vdekja ishte paqe”.
Jeta pastaj
Veç unë e di. Ishte shumë randë, vazhdon Ramadan Nishori, fjalinë e parë, kur pyetet rreth jetës pas kësaj.
“Më 16 mars 2001, jam liru prej burgut me ndihmën e Kryqit të Kuq. Kam qenë i fejumë. pas dy javësh jam martu. Jetoja me prindërit dhe vëllezërit në fshat.
Masi u martova, i thash vetes, do ta lë të kalumen prapa dhe do të filloj një jetë të re, do ta ndërtoj një familje. Por kjo ishte e pamundur, tregon Nishori, pasi çdo natë, i kujtohej ajo që i ndodhi.
“Jetoja me frikë se mos po e heton dikush rastin që më ka ndodhë. Dhe, pas një viti, me bashkëshorten dhe vajzën e vogël Fluturën e vendosëm të jetonim me qira në Fushë Kosovë. Këtu u nijta pak më i lirë po prapë isha i mbyllun në burgun brenda. Boll u mundojsha me i thënë vetit, ka qenë luftë, por…prapë e pamundur. Jo kurrë nuk doja ta ndaja dhimbjen me dikë. Thoja me veten: jam burrë, këtë që kam përjetuar nuk duhet ta dijë kurrkush. Thojsha, më nënçmojnë. Më bullizojnë. Isha shumë i mbyllun me veten. Më vinte me qajtë, me bërtitë me të madhe, ikja natën prej shtëpisë. Dilsha… qajsha, u çfryjsha dhe u ktheja në shtëpi. Se turpi ish ma i randë se dhimbja.
Dikur vendosa, thash ma mirë me ikë prej Kosovës krejt, shkova në Malin e Zi, mora familjen dhe shkuam atje. Po edhe atje, më pengojke ajo gjuha e tyre. U kthyem prapë në Kosovë.
Një natë, e pashë në një intervistë, ishte Vasfije Krasniqi, e cila për mua është heroinë e gjallë.
I merrsha lakmi. Thojsha qe: kjo po folë, po çfryhet. Dhe kështu, e kam marrë dhe i kam shkru në MSN fill. Ajo ma ka kthy menjëherë. Filluam të bisedonim. Po i tregoj… I tregova që shumë herë po ofrohem deri te Organizata, por nuk po mundem të hyj brenda.
Të nesërmen pa menduar shumë, u binda me hy brenda dhe prej asaj dite më kurrë nuk jam larguar prej aty.
Aty më kanë pritë shumë mirë. Më thane se je i sigurt këtu dhe çdo gjë që flasim, do të mbetet këtu. Kështu që, atë ditë për herë të parë, mas shumë vitesh, e thashë me zë për dhunën që kisha përjetuar në stacionin policor”, thotë ai.
Kur i tregova familjes, gruas dhe vajzës time Fluturës…
“Ishte shumë e vështirë” – thotë Ramadan Nishori.
“Por një natë, shkuam në dhomë për të fjetur. Unë si gjithmonë, me probleme shëndetësore. Bashkëshortja më tha se ke diçka që po të mundon. I kam tregu bashkëshortes.
Thash kur më kanë arrestuar në stacionin e policisë në Drenas, më ka ndodhë kjo, kjo…ajo heshti. Filloi të qajë në heshtje ashtu dhe atë natë nuk biseduam më asgjë.
Të nesërmen në mëngjes, po më thotë: “Dan, luftë ka qenë, çdonjërit do të mund t’i ndodhtte kjo”.
Deri sot e ke pasë përkrahjen time, e tash e tutje do ta kesh edhe më shumë.
Pasi i tregova bashkëshortes, e kisha më të lehtë, më nuk kisha nevojë të dilja natën, të ikja, të bërtisja e të qaja.
Një natë, po i them bashkëshortes, çka ta merr mendja me i tregu vajzës. Ajo tha: po.
E kisha shumë të vështirë me fjalë qysh me ia thënë. Të nesërmen e thirra, thash me dalë me pi një kafe. Edhe ashtu dalim shpesh me të. Se Flutura është shtylla e shtëpisë tonë. Kjo për gjithë këto vite e ka mbajtë në kamë familjen tonë.
Kemi dalë në kafe, jemi ulë, me fjalë nuk kam mujtë me i thënë, ia kam qitë vendimin që Komisioni qeveritar, na e ka njoftë statusin, ia qita përpara që shkruan: “viktimë e dhunës seksuale”.
Ajo si e pa tha “babush, unë këtë e di…”. Më kapi për qafe dhe më tha çdo herë do të jem në krahun tënd”, përfundon rrëfimin e tij, Ramadan Nishori.
Marrë nga Nacionale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.