Nga Gazeta ‘Si’- Djathi parmigiano po jeton ‘epokën’ e tij duke u shndërruar në më shumë se një shtesë për makaronat tuaja.
Në të vërtetë, djathi po përdoret si snack i lartë proteinash nga përdorues të Instagramit dhe TikTok-ut, të cilët e krahasojnë me një shufër proteine luksoze.
Por, a është me të vertetë një burim aq i pasur proteinash që nuk e dinim se na duhej?
Sipas Departamentit të Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara (USDA), djathi parmigiano ofron mbi 35 gram proteinë për 100 gram.
Kjo është një fitore e madhe vetëm për sa i përket proteinave, duke kaluar shumë burime të famshme të proteinave si mishi i viçit dhe gjoksi i pulës, të cilat për 100 gram përmbajnë përkatësisht 18.2 dhe 22.5 gram.
Ky djath është gjithashtu një burim i mirë i kalciumit për ndërtimin e kockave. Ai ofron 1.180 miligram për një bllok 100-gramësh, duke tejkaluar marrjen e rekomanduar ditore prej 1.000 miligram për të rriturit deri në moshën 50 vjeç (dhe pak nën 1.200 miligramët e rekomanduar për të rriturit më të moshuar).
Një tjetër avantazh i tij është sasia minimale e laktozës, thotë Maddie Pasquariello, dietologe në Brooklyn, gjë që e bën tërheqës për këdo që është intolerant ndaj laktozës ose i ndjeshëm ndaj produkteve të qumështit.

A duhet të hani parmigiano si një snack i pasur me proteinë?
Siç ndodh me shumicën e trendeve në rrjetet sociale që premtojnë zgjidhje të shpejta për shëndetin dhe mirëqenien tuaj, edhe ky duhet të merret me kujdes. Pasquariello thotë:
“Parmigiano është shumë i shijshëm dhe i gjithanshëm kur përdoret në receta, por nuk do ta quaja asnjëherë një burim të jashtëzakonshëm proteinash ose lëndësh ushqyese, dhe nuk do ta konsumonja si një shufër proteinash.”
Këtu fillon të zbehet iluzioni i tij si një ushqim revolucionar për shëndetin. Edhe pse është i pasur me proteina dhe një burim i mirë i kalciumit, nuk duhet të harrojmë se përmban edhe sasi të konsiderueshme yndyre të ngopur dhe kripë.
“Për të konsumuar sasinë e proteinave që gjendet në një shufër standarde proteinash (10 deri 25 gram), do të konsumonit parmigiano që përmban 8 deri 20 gram yndyrë totale (5 deri 12.5 gram yndyrë të ngopur) dhe 500 deri 750 miligram kripë,” ndan Pasquariello.
Sipas Udhëzimeve Dietike për Amerikanët që gjithashtu u përditësuan si pjesë e ribrandimit të piramidës ushqimore yndyra e ngopur nuk duhet të tejkalojë 10% të kalorive totale ditore (p.sh., 20 gram në një dietë 2.000 kalorish).
Sa i përket kripës, na këshillohet të konsumojmë më pak se 2.300 miligram në ditë.
“Nëse konsumoni potencialisht 50% të sasisë së yndyrës së ngopur dhe thuajse një të tretën e sasisë së kripës në një snack, ka shumë gjasa të tejkaloni rekomandimet për gjithë ditën,” paralajmëron Pasquariello.
Me fjalë të tjera, duhet të shikojmë parmigianon si më shumë sesa një burim i rëndësishëm proteinash dhe të vlerësojmë të gjithë përbërësit e tij. Pak këtu e pak atje do të jetë e mjaftueshme për shumicën e njerëzve, thotë Pasquariello, por ajo padyshim nuk këshillon të hani një shufëer të tërë djathi pas palestreës.
“Duke pasur parasysh se sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjes, dhe se marrja e lartë e kripës dhe yndyrës së ngopur rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe goditjes në tru, është një snack që unë do ta shmang,” përfundon ajo.
Burimi: Self.com/Përshtati Gazeta Si
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



