Drejtësia

Burg për policin që vrau kolegun në komisariat dhe tjetrin që plagosi qytetarin

Gazeta Si - Në dy seanca të ndara, Gjykata e Tiranës vendosi të mbyllë pas hekurave dy punonjës policie, të akuzuar për dy ngjarjet e rënda të ditëve të fundit në Tiranë.

Masa e 'arrestit me burg' u dha për Ludian Zaimin, i cili ekzekutoi kolegun e tij Çaush Saliasin në ambientet e komisariatit dhe Lutfi Gjylën që plagosi një qytetar në Kombinat në gjendje të dehur.

Ngjarja e parë ndodhi në 23 maj në ambientet e komisariatit nr. 3 në kryeqytet, para se efektivët të zbrisnin shkallët për të marrë mjetin e shërbimit.

Ndërkohë, në dëshminë e tij para hetuesve, Zaimi është shprehu se Çaushi e ka ofenduar gjatë momentit të instruktazhit.

Ai shtoi se me Saliasin është konfliktuar edhe më herët kur kanë qenë në krye të detyrë dhe ka theksuar se ai konsumonte alkool.

Gjithçka ka ndodhur në pak minuta, ku kolegët kanë nxituar të transportonin në spital kolegun e plagosur rëndë.

25-vjeçari është ndaluar menjëherë ndërsa në dëshminë e parë ka dhënë si argument bullizimin ku mësohet të jetë shprehur se zgjaste prej disa muajsh.

Prokuroria pritet të kërkojë ekspertimin psikik dhe mjekësore të autorit, nëse ilaçet që konsumonte kishin ndikuar apo jo në gjendjen e tij mendore.

Gjykata la në burg edhe efektivin e FNSH-së, Lutfi Gjyli, një tjetër ngjarje që ndodhi gjithashtu mbrëmjen e 24 majit në Tiranë.

Gjyli plagosi me armën e shërbimit një qytetar me të cilin ishte i ulur në tavolinën e një lokali. Efektivi i FNSH ishte në gjendje të dehur dhe shkrepi armën, duke plagosur në këmbë qytetarin.

Para gjykatës ai ka kërkuar ndjesë për ngjarjen dhe ka thënë se ishte në gjendje të dehur dhe arma u shkrep.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë