Ka ndodhur

Burg për autorin e sulmit në xhami: Më përndjekin besimtarët myslimanë

Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për Rudolf Nikollin, i cili plagosi me thikë pesë besimtarë në xhaminë “Dine Hoxha” në kryeqytet.

Gjykata e ka konsideruar aktin e 34-vjeçarit si një vepër me një rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë, Drejtoria e Anti-terrorit, ka referuar materialet në prokurori për veprime me qëllime terroriste.

Gjatë seancës, Nikolli ka dëshmuar se përndiqej nga disa persona, duke u shprehur se nuk ka dashur t’i bëjë keq askujt, por është detyruar nga rrethana të tilla.

“Jam përndjekur nga besimtarët myslimanë. Nëse i paraqitni personat këtu, ua them në fytyrë. U bë një vit që më ndjekin, edhe shteti e di këtë, - mësohet të ketë thënë ai. - Nuk doja ta bëja, nuk është normale, por besimtarët më kanë përndjekur. Ilaçet i kam pirë, po ka pasur raste që s’i kam pirë. Herë pas here harroja”.

Nga ana e tij, avokati i të akuzuarit, ka deklaruar se klienti i tij ka probleme mendore, ndërsa e ka cilësuar masën e sigurisë si të papërshtatshme.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 19 prill, kur Rudolf Nikolli hyri në xhami me thikë dhe plagosi disa besimtarë. Pas sulmit, ai ka tentuar të largohet, por me ndërhyrjen e qytetarëve dhe policisë është arrestuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë