Gazeta Si – Gleard Gusholli, i akuzuar se dhunoi të dashurën e tij 28-vjeçare është lënë në burg, ndërsa për katër bashkëpuntorët e tij, Gjykata e Tiranës ka dhënë masën detyrim paraqitje.
Seanca gjyqësore për të riun u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar gjykatës që Gusholli të vazhdojë të hetohet në masën e “arrestit në burg”.
Mësohet se para togave të zeza, 31-vjeçari ka thënë vetëm se gjithçka e ka kryer “për shkak të xhelozisë” që kishte për partneren.
Me anë të avokatit, ai kërkoi masën e shtrimit në spital, për shkak të pretendimeve se ka probleme me shëndetin dhe kurohet prej vitesh.
Ndërkohë për katër të afërmit e tij, Bledi dhe Erlin Kateshi, si dhe Besmir Nurçellari e Arjan Sheta, të cilët u arrestuan për mos kallëzim krimi dhe përkrahje të autorit, prokuroria do të kërkojë që hetimet të vazhdojnë në gjendje të lirë.
Ndryshe nga ajo që ka referuar Policia e Tiranës, Prokuroria ka rikualifikuar veprën penale në ngarkim të Gushollit, duke e akuzuar për plagosje, dhunë në familje nëpërmjet kanosjes e kërcënimit për vrasje si dhe heqje të pa ligjshme të lirisë.
Një ditë më parë, vajza 28-vjeçare e dhunuar dhe e mbajtur peng për një javë, ka lënë ambientet e spitalit dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore. Vetë e reja rrëfeu për mediat dhunën e ushtruar nga Gusholli.
Ajo tregoi se ishin njohur rreth 1 vit e gjysmë më parë dhe kishin qëndruar bashkë edhe në Gjermani, aty ku 28-vjeçarja jetonte e punonte si infermiere. Edhe atje e kishte dhunuar dhe familja e saj e kishte përzënë nga shtëpia.
Por pavarësisht kësaj, vajza vendosi të vijë në Shqipëri për të bashkëjetuar me 31-vjeçarin.
Por në Tiranë dhuna ka ardhur në rritje, sepse 1 javë pasi po bashkëjetonin, ai e mbylli në shtëpi dhe e dhunoi në formë barbare.
Sipas saj, Gusholli ishte një përdorues i lëndëve narkotike dhe se e kishte detyruar të konsumonte kokainë të paktën në 5 raste pa vullnetin e saj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



