Politike

“Bunkeri” Ahmetaj, as KLSh nuk e mëson dot sa dhe ku janë shpenzuar paratë për rindërtimin

Paratë në procesin e rindërtimit janë derdhur kuturru, pa u dokumentuar, me shkelje të vendimeve të Qeverisë dhe ligjeve në fuqi dhe pa transparencë, madje edhe ndaj vetë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Raporti i auditimit të KLSh-së për shpenzimet e kryera në procesin pothuajse dyvjeçar të rindërtimit është i mbushur me vërejtje dhe rekomandime për Ministrinë e Rindërtimit, të drejtuar nga Arben Ahmetaj, si institucioni përgjegjës për këtë proces.

“Nuk demonstrohet dokumentacion në lidhje me veprimtarinë e Ministrit të Shtetit për Rindërtimin mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë së ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara”, thotë KLSh.

KLSh i rekomandon Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, të aktivizojë kabinetin e tij për të plotësuar me dokumentacion aktivitetet mbi ndjekjen dhe bashkërendimin e veprimtarisë ministrive dhe të institucioneve të tjera, publike e shtetërore, për hartimin dhe miratimin e programeve të procesit të rindërtimit të objekteve të dëmtuara dhe të shkatërruara.

Audituesit kanë gjetur se ky institucion është mjaftuar vetëm me hartimin e informacioneve që lidhen me ecurinë e procesit, edhe këtë me mangësi duke u përqëndruar më shumë te pushteti vendor, megjithëse ky pushtet ishte thjesht zbatues, ndërsa fondet lëvrohen nga Ministria e Rindërtimit.

“Stafi i Ministrit të Shtetit për Rindërtimin, aktivitetin për evidentimin e burimeve të brendshme, materiale dhe njerëzore, që disponojnë institucionet, publike e shtetërore, dhe përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre për realizimin e programeve të procesit të rindërtimit, e ka reduktuar thjeshtë dhe vetëm në informacione mbi ecurinë e procesit dhe atë kryesisht në njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilat nuk kanë rezultuar në evidenca të burimeve që disponojnë institucionet dhe për pasojë as në përcaktimin e mënyrës së përdorimit të tyre”, thotë KLSh.

Janë rreth 20 gjetje të kësaj natyre nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe që të gjitha lidhen me mungesën e dokumentacionit për fondet, ose informacion i reduktuar për këto shpenzime. KLSh thotë se audituesit janë përballur me refuzimin e Ministrisë së Rindërtimit për t’i vënë në dispozicion edhe marrëveshjet për vaksinat, duke qenë se kjo ministri, së bashku me atë të Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publike janë tre institucionet e ngarkuara me akt normativ që të negociojnë këto marrëveshje.

“Marrëveshjet për furnizimin e vaksinave, nuk kanë qenë në dispozicion të grupit të auditimit të KLSH, duke pamundësuar shqyrtimin dhe vlerësimin e tyre, dhe në këtë kuadër të aktivitetit të Ministrit të Shtetit për Rindërtimin në cilësinë e ministrit përgjegjës të fushës”, thotë KLSh, duke shtuar se me këtë vendim është shkelur ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë