E gjithë konferenca e gjatë për shtyp e ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi mund të ndahet në tre momente kryesore, nëse nga ato që tha ai përjashtojmë deklaratën që zbuloi se përforcimi i sigurisë personale të Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Luigi Soreca ishte bërë me kërkesë të këtij të fundit.
Momenti i parë ishte ai ku ministri shfajësoi veten dhe Policinë e Shtetit nga përgjegjësia kryesore e dy ngjarjeve të fundit kriminale në vend, ku tetë persona humbën jetën dhe pesë të tjerë mbetën të plagosur.
Momenti i dytë ishte kur mes rreshtave të deklaratës e shpërndau përgjegjësinë në hapësirë dhe në kohë, kryesisht te sistemi i drejtësisë dhe gjyqtarët e prokurorët që nuk kanë kaluar vettingun, madje edhe te shoqëria dhe nevoja që të ndërmerret një fushatë për grumbullimin e armëve që qarkullojnë në vend që nga ’97.
Momenti i tretë kur deklaroi se akuzat për përkeqësim të situatës së rendit dhe sigurisë publike ishin të pavërteta dhe se ato i rrëzonin faktet dhe shifrat e sukseseve të Policisë së Shtetit.
Ai e mbrojti Policinë e Shtetit dhe punën e saj dhe i përjashtoi uniformat blu nga barra kryesore e përgjegjësisë, si te aksidenti tragjik në Fier-Vlorë, ashtu edhe nga përleshja me armë në Velipojë. Ai tha se “policia nuk mund të ndjekë çdo makinë në rrugët e vendit dhe as të parandalojë një sherr me armë mes fqinjëve në orën një të natës”.
Pavarësisht punës së mirë të Policisë së Shtetit, siç e vlerësoi ai, kjo organizatë ka nevojë për reformim dhe reformimi do të nisë menjëherë brenda kësaj jave me ndryshime te drejtorët e policisë në qarqe për të vijuar më pas edhe në nivelet e tjera më të ulta deri te komisariatet dhe strukturat e kontrollit të territorit.
Mes këtyre qëndrimeve ka një paradoks të madh. Nëse policia po kryen një punë të mirë dhe faktet e shifrat, siç citoi ministri e provojnë këtë, atëherë ky ndryshim kaq rrënjësor nuk është i domosdoshëm, madje mund të jetë edhe i dëmshëm.
Me vetë vendimin për reformim të Policisë së Shtetit nënkuptohet se puna që ka kryer deri më tani lë të për të dëshiruar dhe situata e rendit dhe e sigurisë në vend vërtet është përkeqësuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.