Nga Anxhela Çelanji – “Edhe fëmijët e mirë mund sillen keq, të fshehur pas një ekrani”, shkruan në librin “CyberSafe”, autori Patrick Acheampong. Kjo do të thotë se pas ekranit të gjithë mund të përballemi me bullizmin.
Bullizmi virtual, është një nga format më të përhapura. Psikologia Arjana Muçaj, e pyetur nga Gazetasi.al, ka shpjeguar se ngacmimi i cili shoqërohet me shqetësim të brendshëm dhe që ndodh përgjatë një kohe të vazhdueshme, ka të bëjë me fenomenin bullizëm.
“Bullizmi virtual është më i përhapur, pasi përdorimi i teknologjisë është bërë i domosdoshëm për të gjitha grup moshat. Por më shumë të prekur janë mosha e pre-adoleshencës dhe adoleshentët, 9-17 vjeç. Pasi zhvillimi fizik është i shoqëruar dhe një zhvillim të dukshëm hormonal, i cili e bën zhvillimin emocional të paqëndrueshëm dhe kjo tregohet dhe me mënyrën e të vepruarit ndaj bashkëmoshatarëve të tjerë”, shpjegon Muçaj.

Sipas psikologes, mendimi se të qenurit pas një ekrani, do të ndihmojë më shumë me mos identifikim të fëmijës me atë që është duke komunikuar, i vendos ata, pa kuptuar në komunikim ku gjuha e urrejtjes dhe fyerjes, bëhet prezente, por pa kuptuar rrezikshmërinë e këtij komunikimi.
Gjithashtu, psikologia shton se ngacmimet nëpërmjet përdorimit të pamjeve fotografike, janë një shqetësim shumë i madh.
Ndërkaq, raporti i parë kombëtar i realizuar me të dhëna nga Platforma Kombëtare www.ISIGURT.AL, e krijuar nga organizata për mbrojtjen e fëmijëve CRCA, tregojnë se nga 300 raste të fëmijëve dhe të rinjve, që kishin denoncuar në platformë, rreth 62% janë përballur me bullizmin virtual.

Sipas raportit, mungesa e parashikimeve dhe rregullimeve ligjore në Kodin Penal, e bën tepër të vështirë mbrojtjen online të fëmijëve dhe të rinjve.
Gjetje të tjera nga UNICEF në një raport të vitit 2020, treguan gjithashtu se fëmijët në vendin tonë e përdorin internetin rreth moshës 9 vjeç, ndërsa brezi i ri i vajzave dhe djemve kanë më shumë gjasa ta përdorin më herët, përkatësisht rreth ose nën moshën 8 vjeç.
“Një moshë tepër e vogël që i bën ata edhe më të rrezikuar për të mos perceptuar apo për të mos reaguar ndaj bullizmit virtual. Të dhënat treguan se nga 1000 fëmijë të anketuar, rreth 47.9% e tyre ishin prekur nga bullizmi virtual”, thuhet në raport, ndërsa nënvizohet se duhet bërë më shumë punë me operatorët e shërbimit të internetit, për të monitoruar dhe rregulluar ekspozimin e pavullnetshëm të fëmijëve ndaj përmbajtjes seksuale online.
Bullizmi virtual është një fenomen në mbarë botën dhe teknologjia i ka krijuar më shumë hapësirë edhe për t’u përhapur në vende të ndryshme.
Sipas një studimi të kryer nga “Ipsos” një kompani analitike, përgjatë viteve të fundit ka pasur një rritje të bullizmit virtual në shumë vende të botës. Të dhënat tregojnë se 20,793 intervista të kryera në 28 vende, më të rrezikuari nga bullizmi ishin grupmosha 14-18 vjeç, që përkon me periudhën e adoleshencës.
Sipas raportit në të gjithë Evropën dhe Amerikën, shumë prindër kanë raportuar për përvojat negative të fëmijëve të tyre me bullizmin kibernetik.
Të dhënat treguan përktësisht se nga të gjithë të anketuarit, 47.7% e fëmijëve të bullizuar ishin në grupmoshën 6-10 vjeç, 56.4% ishin të grup moshës 11-13 vjeç, 59.9% ishin 14-18 vjeç dhe 54.3% ishin +19 vjeç.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




