Nga Gazeta ‘SI’- TikTok është platforma kryesore, ku fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë kanë vuajtur pjesën më të madhe të gjuhës së urrejtjes dhe bullizmit, e ndjekur nga Instagram, për vitin 2022. Kjo është ndër gjetjet kryesore të raportit të platformës së sigurisë në Internet në vendin tonë, iSigurt.al.
Në raport thuhet se mesatarisht çdo dy ditë një fëmijë, adoleshent apo i rritur raporton internet të pasigurt në Shqipëri, duke ju referuar kështu 150 rasteve të raportuara pranë platformës.
Viti 2022, shënon një ndarje pothuaj të barabartë midis djemve dhe vajzave në raportim, krahasuar më vitet e kaluara. Këtë vit 47 % e raportimeve janë nga djemtë krahasuar me 43% e raportimeve të ardhura nga vajzat.
Grupmosha më e prekur që raporton një numër më të lartë incidentesh në internet është 18-30 vjeç e ndjekur nga grupmosha 15-17 vjeç.
Rritja e numrit të përdoruesve të internetit në vendin tone, në thuajse 80 përqind të pupullsisë, e ka kthyer atë në një nga mediumet më të rëndësishme nga njeriu për të komunikuar, mësuar dhe shkëmbyer informacion. Por nga ana tjetër, interneti mbart një sërë rreziqesh për fëmijët, sidomos në drejtim të mbrojtjes së tyre nga dhuna, shfrytëzimi dhe abuzimi seksual, bulizmi apo gjuha e urrejtjes online.
“Shqipëria ka një rrugë të gjatë për të bërë për të ofruar më shumë siguri dhe mbrojtje për çdo fëmijë dhe të ri që përdor internetin. Nga të dhënat që kemi mbledhur nga iSIGURT për shtatë vitet e fundit, ne besojmë se bota online po bëhet më e rrezikshme dhe më shfrytëzuese për fëmijët. Është urgjente që të fillojmë të zhvillojmë ligje dhe politika të reja, për të adresuar të gjitha këto mangësi, së bashku me industrinë.” – tha Altin Hazizaj, në emër të CRCA/ECPAT Albania gjatë prezantimit të këtij raporti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



