Lajme

Bularat, arkivoli i Kacifasit mbulohet me flamurin grek

Dhjetë ditë pas vrasjes që shkaktoi stuhi politike mes Athinës dhe Tiranës zyrtare, trupi i pajetë i Konstandinos Kacifas mbërriti pasditen e sotme në shtëpinë e tij në Bularat. Arkivoli i 35-vjeçarit, i shoqëruar nga një duzinë familjarësh dhe miqsh, ishte i mbuluar me flamurin grek.

Procedurat për ekzaminimin e trupit të 35-vjeçarit kanë zgjatur thuajse 10 ditë dhe Prokuroria ka gati raportin e mjekëve ligjorë, ndërsa mësohet se autorizimi për dorëzimin te familjarët është firmosur dje nga prokurori i Krimeve të Rënda, Njazi Seferi.

Ceremonia mortore e Kacifasit do të mbulohet nga shpenzimet e Bashkisë së Dropullit. Vendimi është marrë në një mbledhje jashtë radhe dhe nënkryetari Mihal Mano ka thënë për mediat se familja e 35-vjeçarit është e varfër dhe nuk ka mundësi financiare të paguajë vetë shpenzimet e varrimit.

Përcjellja drejt banesës së fundit të Kaçifas është paralajmëruar të mbahet nesër në orën 13:00 në Bularat. Mediat greke raportojnë se në ceremoninë mortore mund të jenë deri në 2000 persona të cilët janë nisur nga Greqia, ndaj Policia e Shtetit ka marrë masa për monitorimin e rreptë të ngjarjes.

35-vjeçari Kacifas mbeti i vrarë nga RENEA më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, gjatë festës së përvitshme në përkujtim të ushtarëve grekë të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Shqipërisë.

Fillimisht Kacifas qëlloi me armë zjarri ndaj policisë, ndërsa më tej kur uniformat blu u vunë në ndjekje, ai nuk i ndali të shtënat drejt mjeteve të policisë.

Pas disa orësh ndjekje, 35-vjeçari u rrethua, por edhe nga aty nuk i ndali të shtënat. Kjo bëri që gjatë shkëmbimit të zjarrit të mbetet i vrarë, duke refuzuar që të dorëzohet, sipas versionit të policisë shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë