Portofol

Bukuria që “fle”nga errësira

Nga Sabina Veizaj-Ajo është një bukuri që fle nga halli. Quhet Mapërrenjë dhe është një fshat në Theth. Ka këtë emër sepse përshkohet nga shumë përrenj.

Por, megjithë burimet e pasura ujore, përpos dritës natyrale, elektriciteti mbetet një legjendë e përrallave të brezave të kaluar.

Ky fshat ka 13 vite pa energji elektrike edhe pse me një potencial turistik të jashtëzakonshëm.

Në 2017-ën Thethi dhe Syri i Kaltër janë vizituar nga 82 mijë turistë prej të cilëve 42 mijë ishin turistë të huaj. Në Theth ka 52 bujtina dhe 3 kampe.

Një nga bukuritë më të rralla të Alpeve shqiptare e gjithashtu të Ballkanit.

Zefi rreth të 60-ave, Dukagjinas ka ndërtuar në fshat sëbashku me dy vëllezërit shtëpi në tokën e babait.

Por ata nuk jetojnë aty. Vijnë vetëm për periudhën e sezonit turistik.

“Familjen e kam në Shkodër. Unë vij vetëm për tre muaj që ka turizëm. Në fakt ka vetëm vizitorë, jo pushues. Këtu nuk ekzistojnë kushtet më minimale. Kemi 13 vite pa drita dhe pa rrugë. Drejtori i OSSHE-së të Shkodrës nuk ishte në dijeni se Mapërrenja ka më shumë se një dekadë pa energji elektrike.”- thotë Zefi.

Vizitorëve që kanë nevojë për ekspres, u ofrojnë kafe turke që e bëjnë me bombël gazi. Për shkak të mungesës së energjisë elektrike në zonë, kafja turke është kthyer në “atraksion turistik”.

“Jemi si në 1934. Shtatori i 1972 kur vendi u elektrifikua na duket sikur nuk i përket historisë tonë” – shprehet Zefi.

Ndërsa Antoni rreth të 30-ave dhe është i punësuar tek tezja gjatë sezonit turistik. Ai ngarkon pije me arka për ti shpënë dhe shitur në Syrin e Kaltër në Mapërrenjas. “Unë jam Dukagjinas, por  jetoj në Shkodër. Kam më shumë se 2 vite që vij e punoj këtu sezonit. Mërzitem sepse ka shumë vështirësi. Rruga është shumë e keqe dhe ne na prishen shumë pije gjatë transportit, si në krahë, ashtu edhe me mushka. Kështu që nuk fitojmë shumë, edhe pse çmimet i kemi dy fish më të shtrenjta” – thotë Antoni.

Mesatarisht nga pijet fiton 1000-1200 lekë në ditë. Ai paguhet nga tezja 15000 lekë në muaj dhe pjesën tjetër të vitit punon shofer në Shkodër ku edhe jeton.

Përpara 1990-ës Mapërrenjasi ka qenë kooperativë. Njerëzit janë marrë me blegtori dhe kanë mbjellë misër. Ata paguheshin me 60-70 lekë nga kooperativa.

“Misri nga ana agroteknike është llupës, do të hajë. Nëse i hedh pleh dhe i jep ujë, misër ke sa të duash. E kalon 100 kunjtalshin për hektar. Ngaqë vendi këtu ka qenë dhe është i pasur me burime ujore, misri ka qenë i zhvilluar shumë” – thotë , agroonom Biraçi 75 vjeçar, i cili ka ardhur të vizitojë Syrin e Kaltër.

Tanimë në zone nuk ka asnjë familje rezidente.

Për të shkuar në Syrin e Kaltër duhet të nisësh nga Qendra e Thethit me furgona të zonës. Rruga është off road dhe zgjat 30 minuta deri tek centrali i Ndërlysës duke kaluar përbri fshatit Ndërlys derisa arrin tek Pusi i Zi i cili formohet nga Lumi i Zi që zbret nga Kaprreja. Qëndrohet afër rrënojave të Shkollës, ku shfaqet përpara pusi i Zi. Sapo kalon urën e sajuar me dërrasa të del përpara një nga pamjet më mahnitëse e formuar nga gërryerja e shkëmbit nga lumi, ku janë krijuar diska vaska. (ky vend është pagëzuar si vaskat nga vizitorët)

Vaskat

Rruga nga vaskat drejt Maprrenjës për të mbërritur tek Syri i Kaltër zgjat  45 minuta më këmbë sepse nuk ka rrugë automobilistike. Syri i kaltër formohet nga Lumi i Zi, i cili buron në Majën e zezë dhe është i formuar nga gërryerja e shkëmbit nga uji që zbret nga mali. Pusi i zi është rreth 100 m² dhe rreth 3 deri në 5 m i thellë. Lumi i Zi formohet i gjithi nga shkrirja e borës në Alpe.

Me këtë bukuri të rrallë natyrore dhe një potencial të tillë turistik, a i duhet ndryshuar fati kësaj zone që për nga kushtet ka mbetur si në mesjetë?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë