Menaxhim

BSH: Normat e interesit duhet të rriten përsëri që të japin efekt. Bankat, kujdes me kreditë hipotekore

Nga Gazeta ‘SI’ – Rritja e normave të interesit ende nuk ka dhënë efekt në reduktimin e kërkesës për kredi, si nga bizneset ashtu edhe nga individët. Klodion Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar nga Banka e Shqipërisë, tha për Gazetasi.al se për shkak të kushteve ekonomike, norma e interesit mund të vazhdojë të rritet deri në 7% për të dhënë efektet e pritshme në kreditim. Afat që shfaqet i vështirë për t’u parashikuar edhe nga vetë BSH se kur mund të ndodhë.

Shehu tregon se norma e rritur e interesit jo vetëm që nuk ka dhënë efekt, por kredimarrja ka vazhduar të jetë në nivele të larta. Lloji i kredisë me kërkesën më të lartë vazhdon të jetë ajo për banesa, për shkak të lehtësimit të standardeve nga bankat tregtare që ka sjellë rritje të vëllimit të banesave të shitura me 39% në raport vjetor. Huamarrjen hipotekore, BSH e cilëson me rrezikshmëri të lartë dhe i kërkon bankave tregtare të monitorojnë me kujdes këtë zë. Gjatë prezantimit të raportit, u njoftua se Banka po punon me dy rregullore që synojnë krijimin e databazës së të dhënave për kreditë hipotekore dhe financimin e tyre nga bankat.

Për rritjen e yield-eve dhe kuponit të titujve qeveritarë, Shehu sqaroi se ka ndodhur për shkak se qeveria ka rritur kërkesën për financim, për shkak të situatës ku ndodhet dhe nevojës për rezerva.

Gjatë prezantimit të Raportit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2022, përfaqësues të këtij departamenti treguan se parashikohet një rënie e aftësisë paguese në muajt në vijim, që mund të rrisë më tej nivelin e kredive të këqija dhe një frenim të konsumit e investimeve në vend.

Për 6mujorin e parë, bankat kanë përballuar goditjet, por disa nga ato u bënë më të ndjeshme dhe kërkuan deri në 20 mld lekë financim. Gjatë kësaj periudhe, shëndeti bankar u dobësua.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë