Nga Gazeta ‘Si’– Banka e Shqipërisë vendosi në mbledhjen e sotme të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.
Në fjalën pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Guvernatori, Gent Sejko, tha që ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, mbeten të konsoliduar.
“Rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë e plotë në rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga produktiviteti dhe marzhet e fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension.
Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit,” tha Sejko.
Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit të bankës Qendrore.
Sipas Sejkos, rritja e inflacionit këtë tremujor u diktua nga rritja relativisht e shpejtë e çmimit të qirave, rritja e lehtë e inflacionit të shërbimeve, si dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimit të ushqimeve shënoi rënie, ndërsa inflacioni i artikujve të tjerë të shportës u shfaq relativisht i qëndrueshëm.
Në këndvështrimin makroekonomik, trendi rritës i inflacionit gjatë tremujorit të tretë pasqyroi rritjen e inflacionit bazë e të brendshëm, kundrejt rënies së inflacionit jobazë dhe të importuar.
Në projeksionet për të ardhmen, Banka e Shqipërisë vlerëson përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë sugjeron se perspektiva e zhvillimeve ekonomike mbetet pozitive.
“Aktiviteti ekonomik në vend pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme solide dhe pranë potencialit. Rritja ekonomike do të nxitet nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit, investimeve dhe eksportit të turizmit, dhe do të mundësojë një rritje të mëtejshme të punësimit e të pagave.
Inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin tonë prej 3% gjatë gjysmës së parë të vitit 2026. Ky parashikim pasqyron pritjet tona për ecuri të balancuar të kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime, për stabilizim të inflacionit në tregjet ndërkombëtare, për një ecuri më të qëndrueshme të kursit të këmbimit, si dhe për mungesën e goditjeve të ofertës në të ardhmen,” u shpreh Sejko.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



