Para

BSH inspekton bankat për pastrim parash: S’raportuan transfertat e dyshimta. Cash përdoret masivisht

Nga Gazeta 'SI' - Banka e Shqipërisë ka kryer disa inspektime në tregun financiar vendas dhe ka konkluduar se masat kundër pastrimit të parave nuk respektohen. Gjatë vitit 2023, BSH kreu inspektime në 61 subjekte financiare, nga të cilat 5 ishin banka tregtare, ku u gjetën shkelje.

BSH raporton se ka gjetur raste transfertash të dyshimta që nuk janë raportuar si të tilla pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare, detyrim që e ka çdo bankë tregtare në vend, si masë kundër pastrimit të parave. (sistemi ALERT).

Po ashtu, BSH tregon se ka identifikuar raste të transaksioneve me vlera të larta në cash dhe me vlera përtej pragut 1 milion lekë, që nuk janë raportuar.

Banka gjeti se në bankat tregtare nuk ka sisteme të dedikuara për çështjet e parandalimit të pastrimit të parave dhe as staf të trajnuar për këtë fushë. Janë raportuar dhe raste kur personi përgjegjës në bankë për PPP, ndodhej në konflikt interesi. Në sistemin e bankës nuk janë parashikuar skenarë në lidhje me kartat e kreditit.

Problematika të ngjashme janë vërejtur edhe në subjektet financiare jo-banka apo SHKK-të.

Për të gjitha këto Banka e Shqipërisë ka lënë disa rekomandime për bankat tregtare.

Nga ana tjetër, BSH ka inspektuar edhe 50 zyra të këmbimit valutor, ku si pasojë e shkeljeve, janë hequr dy licenca dhe janë vendosur 25 masa administrative.

Pak javë më parë, raporti i SPAK për vitin 2023, provonte se bankat tregtare në vend ishin të përfshira në skemat e pastrimit të parave, duke krijuar lehtësira për kontigjentët. Edhe një raport i qeverisë, ai i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, konfirmonte të njëjtën gjë. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë