Menaxhim

BSH i rekomandon bankave të rrisin provigjionet dhe të rishikojnë portofolet e kredive

Banka e Shqipërisë u ka rekomanduar bankave tregtare në vend që të rrisin provigjionet për vitet e ardhshme.

Rekomandimi për rritjen e tyre u bë nga Departamenti i Mbikëqyrjes, pas disa kontrollove në bankat tregtare të vendit.

Bankave u është kërkuar edhe rishikimi tërësor i portofolit të kredisë për të evidentuar ndryshime të mundshme në aftësinë paguese të klientëve, edhe në rastet kur ata nuk kanë përfituar nga “ngrirja” e pagesave apo ristrukturimi.

Që nga tremujori i fundit i vitit 2020 dhe në vijim të vitit 2021, niveli i kredive me probleme ka ardhur në rënie dhe kjo shkaktoi dhe uljen e nivelit të provigjioneve nga bankat. (Provigjionet janë sasitë e parave të lëna mënjanë nga bankat e nivelit të dytë për kreditë me probleme.)

Mbulimi me provigjione i kredive me probleme rezulton 65.2%, kundrejt nivelit prej 59.4% të një viti më parë.

Gjithashtu treguesit e likuiditetit në mënyrë të vazhdueshme ishin ndjeshëm mbi normat e parashikuara në aktet rregullative të Bankës së Shqipërisë. Në dhjetor 2020, raporti i aktiveve likuide ndaj detyrimeve afatshkurtra për sistemin bankar rezultoi 47.4%10, me një rënie prej 2 pikë përqindjeje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë vitit 2020, aktivet e sistemit bankar shënuan një rritje prej rreth 106.42 miliardë lekësh ose 7.22%, përkundrejt rritjes me 22.1 miliardë lekë ose 1.52% të një viti më parë. Portofoli i kredive ka pasur rritje me 33.08 miliardë lekë ose 5.77%, gjatë këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë