Menaxhim

BSH i kërkon qeverisë të kujdeset për uljen e borxhit, parasheh tri rreziqe

Qeveria rriti më tej borxhin publik të vendit në një akt normativ nëpërmjet zgjerimit të deficitit buxhetor, por pa shpjeguar nëse politika e saj financiare do të përshtatej me atë monetare. Pasi  Banka e Shqipërisë në Raportin e posaçëm të politikes monetare kërkon rikthim të vëmendjes ndaj konsolidimit fiskal me mbarimin e pandemisë. “Është një parakusht i nevojshëm për të garantuar qëndrueshmërinë e financave publike në afatin e gjatë”-vëren BSh.

Banka  parasheh tre rreziqe potenciale që kërcënojnë këtë strukturë të ndërtuar nga qeveria për të financuar boxhin: rreziku i rifinancimit; rreziku i normave të interesit dhe ai i kursit të këmbimit.

Rreziku i rifinancimit, rriten presionet nga detyrimet e jashtme

Rreziqet që vijnë nga rifinancimi i referohet situatave hipotetike ku një qeveri mund të mos gjejë blerës potencialë për borxhin e saj. Në vetvete, ky tregues është funksion direkt i nevojave që ka një qeveri për huamarrje gjatë një periudhe të caktuar kohore, zakonisht një vit kalendarik, dhe origjinës apo strukturës së zotëruesve të borxhit të saj.

Në rastin e Shqipërisë, rrezikut i rifinancimit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Kështu, raporti i borxhit afatshkurtër ndaj totalit ka njohur rënie progresive në kohë, nga niveli 29% në vitin 2014 në nivelin 18% në tremujorin e parë të vitit 2020.

Rreziku i normave të interesit

Ky rrezik i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të tregjeve financiare apo e natyrës së instrumenteve të përdorur për financimin e tij. Në rastin e Shqipërisë, rreziku i normave të interesit ka ardhur në rënie gjatë viteve të fundit. Përtej rritjes së maturitetit dhe thellësisë së tregjeve financiare vendase, zgjatja e maturitetit të borxhit dhe reduktimi progresiv i peshës së instrumenteve të borxhit me interes të ndryshueshëm, kanë zbutur rrezikun nga normat e interesit dhe kanë përmirësuar kuadrin e vlerësimit të kostos së shërbimit të borxhit në të ardhmen.

Rreziku i kursit të këmbimit kërkon vëmendje të lartë

Ky rrezik i referohet luhatshmërisë që mund të pësojë niveli dhe kostoja e shërbimit të borxhit, si pasojë e luhatjeve të kursit të këmbimit. Ky rrezik është veçanërisht prezent për vendet të cilat përdorin tregjet financiare ndërkombëtare për mbulimin e nevojave të huamarrjes, nëpërmjet emetimit të instrumenteve të borxhit të denominuar në monedhë të ndryshme nga ajo kombëtarja .

Në rastin e Shqipërisë, pesha e borxhit në monedhë të huaj ka ardhur në rritje gjate viteve të fundit. Kjo rritje pasqyron në një masë të madhe ndërgjegjësimin mbi pasojat negative që do të kishte aksesimi i tregjeve financiare lokale për përballimin e nevojave e mëdha për financim që ka pasur buxheti, si pasojë e kostove të rindërtimit të dëmeve të tërmetit dhe të kostove të pandemisë.

Megjithatë, administrimi i kujdesshëm i këtij rreziku kërkon vëmendje të vazhdueshme në të ardhmen. Në këtë kontekst, angazhimi për vendosjen e borxhit në një trajektore rënëse në të ardhmen, duhet të shoqërohet dhe me kujdes të vazhdueshëm për përmirësimin e rreziqeve që lidhen me strukturën e tij, analizon Banka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë