Katar 2022

Bruno Fernandes likuidon Uruguajin, edhe Portugalia kalon në 1/8-at

Gazeta Si – Portugalia ka mundur 2-0 Uruguajin dhe ka siguruar kalimin në fazën e 1/8-ve në Botërorin e Katarit. Pas dy fitoresh në dy ndeshje, Ronaldo me shokë janë kualifikuar matematikisht, duke iu bashkuar Francës dhe Brazilit.

Pas një pjese të parë jo të mirë, ka menduar dyshja Bruno Fernandes-Ronaldo për të gjetur golin. Fernandes ka lëshuar një gjuajtje-kros në zonë, CR7 ka kërsyer me kokë dhe topi ka përfunduar në rrjetën e Roshet.

Feston Ronaldo, por FIFA ia ka akorduar golin mesfushorit. Uruguaji u mundua të reagonte, krijoi raste, por ishte pa fat, pasi goditi edhe shtyllën me Gomez. Në kohën shtesë amerikano-jugorët u ndëshkuan sërish nga Fernandes, por këtë herë me penallti.

Në pjesën e parë Uruguaji iu afrua shumë golit me Bentankur, cili depërtoi bukur në zonën e portugezët, por u ndal nga portieri në momentin final. Vendimtare për uruguaijanët do të jetë ndeshja e tretë me Ganën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë