Gazeta Si – Një tjetër shans i humbur nga Armando Broja. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare luajti titullar të dielën ndaj Volverhempton në kampionat, por sërish zhgënjeu trajnerin Mauricio Poçetino dhe tifozët e Çelsit, që humbi me rezultatin 2-1.
Broja qëndroi një orë në fushë dhe nuk dha asnjë shkëndijë, duke e detyruar trajnerin ta ndërronte. Sulmuesi kuqezi ishte më i dobëti për skuadrën londineze, i vlerësuar me notën 6.2. Ishte një paraqitje për t’u harruar, që mund të ketë vendosur përfundimisht për shitjen e lojtarit nga Çelsi.

Poçetino i ka besuar shpesh minuta në fundin e ndeshjeve, por edhe një vend titullari, por asnjëherë nuk ka marrë atë që priste nga futbollisti shqiptar. Në fakt, Broja duket vërtet shumë larg atij lojtarit para ndërhyrjes kirurgjikale në gju. Deri diku e pranueshme, sepse nuk është e lehtë të rehabilitohesh nga një dëmtim i tillë, megjithatë sulmuesi nuk po jep asnjë sinjal për të ardhmen.
Në këtë situatë, shitja e Brojës mund të jetë zgjidhja më e mirë për klubin e Çelsit, por edhe për vetë lojtarin. Ndoshta ai ka nevojë për një skuadër tjetër që të luajë me minutazh të plotë për të rifituar formën që kishte para operacionit.
Situata aktuale me Brojën është shqetësuese edhe për stafin e Kombëtares së Shqipërisë. Sulmuesi 22-vjeçar konsiderohet nga të gjithë si lojtari më i mirë që kemi në repartin e avancuar dhe prej tij të gjithë presin shumë. Tani shpresat janë që muajt deri në Europianin e Gjermanisë ta ndihmojnë Brojën të rehabilitohet për të qenë një ‘armë’ e fortë e kuqezinjve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




