Futboll

Broja dhe Kumbulla mbeten ‘spektatorë’ me klubet, problem serioz për Silvinjon

Gazeta Si – Armando Broja dhe Marash Kumbulla ndërruan skuadër në merkaton e dimrit për të mos humbur Europianin e Gjermanisë me Kombëtaren. Një lëvizje logjike, duke qenë se sulmuesi me Çelsin dhe mbrojtësi me Romën nuk kishin hapësira, duke qenë se janë larg formës për shkak të dëmtimit të gjatë që kanë kaluar.

Por situata nuk ka ndryshuar aspak. Edhe me skuadrat e reja Broja dhe Kumbulla nuk po luajnë. Fulhemi sot mundi Mançester Junajtid në ‘Old Trafford’, me rezultatin 1-2, ndërsa sulmuesi kuqezi e shijoi nga stoli këtë sukses të madh.

Broja nuk ishte fare i grumbulluar një ndeshje më parë për arsye shëndetësore. Në ndeshjen e sotme ishte gati, por nuk mori asnjë minutë dhe kjo është shqetësuese si për vetë lojtarin, ashtu edhe për trajnerin e Kombëtares, Silvinjo. Braziliani pret që Broja të aktivizohet rregullisht, që të kapë formën optimale para Gjermani 2024.

Të njëjtën gjë trajneri kuqezi shpreson edhe për Kumbullën, por edhe me të situata nuk është më e mirë. Mbrojtësi nuk ka debtutuar ende me Sasuolon, që sot u mund në fushën e vet nga Empoli i Ismajlit, me rezultatin 2-3. Nga 5 shqiptarët që kanë këto dy skuadra, vetëm Ismajli ishte titullar dhe Bajrami u aktivizua në pjesën e dytë.

Për Kumbullën duket edhe më e vështirë se për Brojën që të jetë në listën e Europianit. Koha po limitohet dhe mbrojtësi nuk po fillon të luajë, që stafi teknik i Kombëtares të gjykojë gjendjen e tij për të vendosur pastaj, nëse duhet ta marrë në Gjermani apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë