Njerez

“Më shumë largime…” Britania ndërmerr masa të reja kundër emigracionit. Sa rrezikojnë shqiptarët?

Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria britanike ka bërë publike disa masa të reja për të luftuar emigracionin e paligjshëm, ku në fokus do të jenë bandat e kontrabandës si dhe rritja e depërtimeve.

Sekretarja e Brendshëm do të zgjerojë qendrat e paraburgimit të imigracionit si pjesë e një plani për të larguar më shumë se 14.500 emigrantë të paligjshëm në gjashtë muajt e ardhshëm. Kjo është një normë më e lartë se në çdo kohë që nga viti 2018, kur Theresa May ishte kryeministre.

Pothuajse çdo ditë, migrantët dhe azilkërkuesit mbërrijnë përtej Kanalit në brigjet e Britanisë. Që kur qeveria e re laburiste mori detyrën më 5 korrik, më shumë se 5700 njerëz kanë arritur në Britani nëpërmjet kësaj rruge detare.

Qeveria deri më tani ka punësuar 300 njerëz si pjesë e stafit për të gjurmuar, ndaluar dhe kthyer emigrantët e paligjshëm, refeuar një burimi të brendshëm të Home Office.

“Ne po ndërmarrim hapa të fortë dhe të qartë për të forcuar sigurinë në kufijtë tanë dhe për t’u siguruar që rregullat të respektohen dhe zbatohen ,” tha në një deklaratë Sekretarja e Brendshme britanike, Yvette Cooper.

Gati 300 vende shtesë do të krijohen në dy qendra të diskutueshme të largimit të imigracionit, ku emigrantët e paligjshëm dhe kriminelët do të qëndrojnë përpara se të deportohen.

Deri në 100 oficerë të rinj specialistë të inteligjencës dhe hetimeve po rekrutohen gjithashtu në Agjencinë Kombëtare të Krimit (NCA) për të punuar me agjencitë evropiane në shënjestrimin e bandave të kontrabandës me njerëz.

Planet e njoftuara së fundmi, sipas “The Telegraph” do të shihen si një përpjekje për të kundërshtuar kritikat se shpartallimi i skemës së dëbimit të Ruandës, e ka lënë Mbretërinë e Bashkuar pa një pengesë për të luftuar kalimet me varka të vogla.

Burimet laburiste pohuan se përpjekjet për të frenuar kalimet e Kanalit tashmë kishin filluar të kishin një ndikim me më pak emigrantë që arritën në brigjet britanike me varka të vogla në gjashtë javët që nga zgjedhjet, sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe në 2022.

Lufta kundër emigracionit të paligjshëm ishte një nga çështjet që dominoi fushatën zgjedhore  për zgjedhjet e përgjithshme të 4 korrikut, ku Partia Laburiste u kthye në pushtet në Britani pas 14 vitesh.

Një nga masat e para të paralajmëruara nga kryeministri i ri i vendit, Keir Starmer, ishte anulimi i “planit të Ruandës”, i cili ishte miratuar nga qeveria e mëparshme dhe që parashikonte deportimin e emigrantëve të parregullt në këtë vend afrikan.

Starmer ka premtuar se do ta trajtojë emigracionin në mënyrë “njerëzore”, por gjithashtu do të reduktojë numrin e emigrantëve, të ligjshëm dhe të paligjshëm, që hyjnë në Britani.

Me këtë synim, Ministria e Brendshme prezantoi masat që do të marrë, të cilat i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër trafikantëve.

Ministrja u zotua gjithashtu për rritjen e dëbimeve. “Stafi do të vendoset për të rritur numrin e dëbimeve të azilkërkuesve të refuzuar”, vuri në dukje ajo, duke shpjeguar se numri i dëbimeve ka “rënë me 40% që nga viti 2010.”

Një vështrim në shifrat e shqiptarëve drejt Britanisë

Shqiptarët u shfaqën për herë të parë në mënyrë dramatike në statistikat e vitit 2022, ku u vu re një rritje e theksuar nga maji e në vazhdim në numrin e tyre që kaluan Kanalin Anglez gomone. Shumë prej tyre kërkonin azil. Në 2022-shin, rreth 16.000 shtetas shqiptarë aplikuan për azil në MB, duke përbërë 16% të të gjithë azilkërkuesve.

Referuar të dhënave nga autoritetet angleze rreth 12.000 shqiptarë mbërritën me gomone– kombësia më e madhe nga të gjithë ata që kryen kalimin, duke përbërë 27% të të gjithë mbërritjeve me varka të vogla në vitin 2022.

Nga 12.301 shqiptarë të zbuluar në vitin 2022, 95% mbërritën në gjashtë muajt nga maji deri në tetor.

Më pas më pak shqiptarë mbërritën me varka të vogla në tremujorin e fundit të 2022 dhe në tremujorin e parë të 2023-shit.

Burimet: The Telegraph; Financial Times. Përshtati Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë