Nga Gazeta Si- Kushdo që është bashkëpunëtor në lehtësimin e kontrabandës së njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar do të jetë në rrezik të sanksionohet dhe t’i ndalohet të udhëtojë në Britani, sipas kompetencave të reja të njoftuara sot nga Sekretari i Jashtëm.
Qeveria britanike pritet të shpallë objektivat e parë të një regjimi të ri sanksionesh financiare që synon goditjen e trafikut të qenieve njerëzore drejt Mbretërisë së Bashkuar.
Në shënjestër të masave ndodhen krerë bandash kriminale dhe kompani që furnizojnë pajisje për varka të vogla, të cilat përdoren për kalimin e Kanalit Anglez nga emigrantët e paligjshëm.
Sipas autoriteteve britanike, ky është veprimi i parë i këtij lloji në botë dhe një pjesë kyçe e planit të Kryeministrit Sir Keir Starmer për të frenuar imigracionin e parregullt dhe për të “shkatërruar rrënjësisht rrjetet kriminale që organizojnë kalimet me varka të vogla”.
Strategjia e re, e prezantuar fillimisht në janar, do të konkretizohet të mërkurën me publikimin e emrave të dhjetëra individëve dhe entiteteve, të cilëve do t’u ngrijnë asetet, do t’u ndalohet hyrja në Britani dhe pjesëmarrja në sistemin financiar britanik.
Zyrtarët: Një hap për të ndaluar rrjetet kriminale
Sekretari i Jashtëm, David Lammy, deklaroi se për shumë kohë, bandat kriminale kanë përfituar nga dëshpërimi i njerëzve të cenueshëm pa u ndëshkuar. Këto sanksione do të shënjestrojnë jo vetëm kontrabandistët, por edhe ata që i financojnë dhe i ndihmojnë përmes mjeteve të sofistikuara.
Lista e të sanksionuarve pritet të përfshijë furnizues të dokumenteve të falsifikuara, financues të anijeve të vogla dhe ndërmjetës që operojnë në sistemet e paligjshme të transfertave të parave.
Sekretarja e Brendshme, Yvette Cooper, e cilësoi nismën si një “hap vendimtar në luftën kundër bandave kriminale që përfitojnë nga mjerimi njerëzor”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



