Gazeta Si – Shtangisti Briken Calja, një nga sportistët më të mirë shqiptarë, garanton se do të marrë pjesë në Europianin e prillit, që zhvillohet në Armeni. Madje, ai është entuziast për fitimin e medaljeve.
Calja mungoi në kampionatin kombëtar të para pak ditëve dhe në atë moment lindën dyshime për pjesëmarrjen e tij në Europian, por vetë sportisti ka sqaruar situatën me një postim në faqen e tij në Facebook, duke bërë me dije se mungesa kishte të bënte me një problem shëndetësor, që tashmë është kaluar.
“Me anë të këtij postimi doja t’u jepja fund spekulimeve dhe të sqaroja opinionin publik në lidhje me mospjesmarrjen time në kampionatin kombetar të zhvilluar disa ditë më parë dhe në lidhje me pjesmarrjen në Kampionatin Europian që do të zhvillohet në Armeni muajin e ardhshëm.
Doja të theksoja se mospjesmarrja ime disa ditë më parë lidhet me një situatë shëndetësore jo favorizuese, me të cilën u përballa. Prej saj u shkaktua dhe kjo mungesë. Për Europianin e prillit doja të theksoja se jam në një formë shumë të mirë, stërvitja po shkon shkëlqyeshem dhe të gjitha vështirësitë shëndetesore janë superuar.
Do të shkojmë si përherë, me kokën lart, për të zhvilluar një kampionat spektakolar, ku kam pritshmëri të larta për medalje. Doja të falenderoja për mbështetjen familjen time, trajnerët dhe klubin shumësportësh Tirana”, – shkruan Calja në postimin e tij. Ai ka postuar përbri fotos së tij me flamur shqiptar edhe listën e pjesëmarrësve të Europianit. Në krye të kësaj liste është emri i Briken Caljes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



