Që prej pasdites së të shtunës ka filluar në Ashgabat të Turkmenistanit kampionati botëror i peshëngritjes. Vendi ynë përfaqësohet nga 5 pesë peshëngritës, Briken Çalja me Arbër Çerçizi në peshën 73 kg, Erkand Qerimaj e Daniel Godelli në peshën 81kg dhe Krenar Shoraj që do të garojë në peshën 89kg.
Çalja dhe Çerçizi hipën të parët në pedanë këtë të dielë, ku rezultatet kanë qenë larg pritshmërive. Kampioni i trefishtë i Europës, Briken Çalja nuk ka shkuar më shumë se vendi i 6-të në klasifikim. Sportisti nga Çerriku në provën e parë ngriti 153 kg ndërsa në të dytën 186, me 339 kg në total të ngritura.
Pas këtij rezultati Çalja nuk e ka fshehur zhgënjimin në rrjetet sociale, ku ka shkruar se dëmtimi që kishte nuk e lejoi që të jepte maksimumin e tij në këtë garë. Çalja i gëzohet rekordeve kombëtare që ka thyer dhe faktit që la pas vetes në renditje kampionin olimpik, Nijat Rahimov.
“Një paraqitje e kënaqshme dhe rezultat mjaft i mirë duke pasur parasysh gjendjen time fizike dhe konkurrencën e fortë në peshën deri në 73 kg. Një fitore më vete është mposhtja e kampionit olimpik dhe thyerja e 5 rekordeve kombëtare edhe pse në gjendje jo të mirë fizike. Falënderim i veçantë për doktorin më të mirë Gjeorgjian, Gio Tchintcharauli, falë të cilit u riktheva në garë përsëri për shkak të dëmtimit që kisha në kofshë. Gjithashtu faleminderit stafit tim për punën e palodhur.”- shkruan ndër të tjera peshëngritësi Briken Çalja.
Akoma dhe mëzhgënjyes ka qenë paraqitja e sportisit tjetër shqiptar, Arbër Çerçizi. Ky i fundit nuk arriti të garonte, duke u tëhequr pak para se të fillonte gara për shkak të një dëmtimi.
Ditën e hënë në pedanën e kampionatit botëror do të ngjiten dy sportistë të tjerë shqiptarë. Erkand Qerimaj e Daniel Godelli do të kërkojnë të hyjnë në peshën e medaljeve në peshën 81 kg. Ndërkohë, Krenar Shoraj në peshën 89 kg do të garojë një ditë më vonë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.