Nëse në vendin tonë ka një sport tradite, ai është peshëngritja, më shumë se të gjithë të tjerët. Të panumërta medaljet, emrat e kampionëve kanë kaluar brez pas brezi, për të arritur te dy më të suksesshmit ndërkombëtarisht në flamurin kuqezi, Briken Calja, kampion bote në një stil dhe Erkand Qerimaj kampion Europe, gjithashtu në një stil.
Në vendin tonë ka pasur aq shumë peshëngritës sa që kemi arritur të furnizojmë Greqinë, jo vetëm me emigrantë apo sportistë që largoheshin për shkak të kushteve të vështira në fillimin e viteve ’90, por me emrat më të mëdhenj të historisë shqiptare dhe greke bashkë, të sportit të peshëngritjes: Pirro Dhima, 3 herë kampion olimpik, rekord Guiness, Luan Shabani kampion Bote dhe Europe, e shumë emra të tjerë, por mjaftojnë këta të dy, për të treguar potencialin e vendit tonë në këtë sport.

Ndërkohë në Shqipëri, në këto 15 vitet e fundit janë pikërisht peshëngritësi nga Shkodra Erkand Qerimaj dhe ai nga Shtërmeni i Cërrikut, Briken Calja, që kanë rivalizuar njëri-tjetrin, duke e shtyrë t’i marrin maksimumin potencialit që kishin. Medaljet e tyre janë të panumërta dhe rivaliteti i shëndetshëm sportiv, në sajë të një pune të përkushtuar dhe një ‘rregjimi ushtarak’, i bën këta emra ikonat e sportit shqiptar.
Por sot, ose më saktë dje, në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që po zhvillohet në Armeni, janë të dy këta emrat që kishin vëmendjen e të gjithë sportdashësve, por që sollën vetëm zhgënjim. Rezultatet e tyre nuk ishin thjesht një humbje e një gare sportive, por një sinjal edhe më i fortë se ne po humbasim veç këtyre dy kampionëve edhe traditën e sportit të peshëngritjes.
Erkand Qerimaj në kategorinë deri në 73 kg. arriti të ngrejë në total 318 kg, një peshë aq e ulët për një sportist të këtij niveli, sa që as vetë Erkandi nuk mban mend, nëse e ka bërë ndonjëherë këtë rezutat me të rinjtë, se për të rriturit, rezultatin më të ulët të një gare, e ka patur në Lojërat Olimpike të vitit 2008, pra 15 vite parë, kur ngriti 341 kg. Atëherë, 20 vjeç, sot 34.

Briken Calja ishte sportisti shqiptar i vetëm që iu afrua medaljes olimpike, vetëm 1 kg larg, ndodhi në vitin 2020 në Lojrat Olimpike, ku ngiti 341 kg në dygarësh. Një super-formë, që u konfirmua rreth një vit më pas, kur u shpall kampion bote në Tashkent të Uzbekistanit në vitin 2021. Atje ai ngriti 342 kg në dygarësh, rezultati që i mungoi dhe i mohoi medaljen olimpike në Tokio. Por me sa duket ai ishte edhe maksimumi i tij.
Që prej dhjetorit të viti 2021 emri i Briken Caljes nuk shihet më askund në aktivitetet ndërkombëtare, dështoi në Kampionatin Europian në Tiranë vitin e shkuar, gjithashtu në Botërorin e Kolumbisë në dhjetor 2022 dhe dje, në tentativën e tij për t’u ringritur, u rrëzua për të trembur edhe atë vetë, se tashmë trupi i tij nuk është më i njëjti, për të bërë ato rezultate të së shkuarës.
Europiani i Armenisë është këmbana më e fortë që bie në tërësi për peshëngritjen shqiptare. Federata Shqiptare e Peshëngritjes zien nga brenda prej kohësh për shumë mosmarrëveshje mes anëtarëve. Vitet e fundit, e përqendruar tek organizimet e mëdha, si Europiani i vitit të shkuar, për të rritur dhe të rinj, Botërori për të rinj këtë vit, apo Asambleja Zgjedhore e Federatës Botërore, i ka hutuar disi.
Sot në vendin tonë kjo federatë është edhe më e vlerësuara nga buxheti i shtetit dhe granti për sportin, ndërkohë paralelisht me këto financa të rritura, rezultatet po ulen, medaljet po largohen.
Erkand Qerimaj dhe Briken Calja janë, ose më saktë ishin, dy emrat e fundit që i sollën medalje ndërkombëtare Shqipërisë në peshëngritje, një sport që duhet të presë gjatë për të gjetur të paktën një emër të ngjashëm me dy kampionëve të mëdhej, tashmë të perënduar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



