Sport

Briken Calja dështon në Europianin e Armenisë, e tradhton pika e tij më e fortë

Gazeta Si – Peshëngritësi shqiptar, Briken Calja, nuk mundi të sigurojë medalje në Europianin e shtangës, që po zhvillohet në Armeni. Ai nuk ia doli gjithashtu të regjistrojë një pozicion në renditje, sepse dështoi në të tria provat e stilit të shkëputjes, që është edhe pika e tij më e fortë. Calja nuk garoi më pas në stilin e shtytjes dhe nuk mori pikë.

Calja i deshperuar pas gares ne Armeni. Gazeta Si, 18 prill 2023

Në dy provat e para peshëngritësi kuqezi tentoi të ngrinte 151 kilogramë, por nuk arriti në asnjërën prej tyre. Në provën e tretë shtoi edhe një kilogram në shtangë me synimin për të fituar medalje, por edhe këtë radhë nuk pati sukses. Në shtytje Calja nuk garoi, duke mos marrë kështu pikë për një pozicion në renditje në këtë kompeticion.

Kujtojmë që Briken Calja vjen pas një periudhe, ku ka pasur disa dëmtime dhe shpresonte të fitonte medalje në Armeni, por gjërat nuk shkuan pozitivisht për të.

Erkand Qerimaj ne garim. Gazeta Si, 18 prill 2023

Ka garuar sot edhe peshëngritësi tjetër shqiptar, Erkand Qerimaj, edhe ai në kategorinë deri 73 kilogramë, por në baterinë B.

Qerimaj ngriti 168 kilogramë në shtytje dhe 150 kilogramë në shkëputje, ku u rendit i 5-ti. Me të njëjtin rezultat në shtytje në Europianin e 2022-shit, që u zhvillua në Tiranë, Qerimaj fitoi medaljen e artë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë