Nga Liridon Mulaj– Jeta personale e diktatorit Enver Hoxha për gati 45 vjet ka qënë e zhytur në anonimat. Vila ku ai jetonte, sot e shndërruar në rezidencë artistësh , ndodhej në zonën më të kontrolluar të Shqipërisë, ku qytetarët e thjeshtë nuk lejoheshin të hynin. Kjo ka sjellë edhe përgojimin dhe më pas shpërndarjen e historive të shumta mbi jetën dhe bëmat e tij.
Që nga procesi i rigjenerimit fizik nëpërmjet gjakut të foshnjave, një proces satanik dhe çnjerëzor e deri të zërat e çuditshëm që dëgjonin ushtarët e gardës që ruanin varrin e tij, jeta por edhe vdekja e Enver Hoxhës, fshehin shumë sekrete të cilat shpesh i ngjajnë rrëfenjave më përbindësha. Subjekte krejt të përshtatshme për të besuar se në atë vilë ka pasur dhe ka ende prani metafizike. Këtë fakt e pohojnë edhe artistët e rinj pjesmarrës në rezidencë.

Artistët e rinj të vilës 31 , mes fantazmës së diktatorit dhe ngjarjeve të pazakonta.
Duke pasë parasysh se vila 31 prej Janarit të këtij viti është shndërruar në një rezidencë banimi për artistë nga Europa, pyetja që lind është: A ka ende mes atyre mureve dhe objekteve , shenja metafizike të pranisë së diktatorit?
Gjatë prezantimit të punës së saj për GazetaSi.al , artistja franceze Marianne Maric pohon se në atë vilë i kanë ndodhur gjëra të çuditshme të cilat nuk di ti shpjegojë.
“Në këtë vilë më kanë ndodhur disa gjëra të çuditshme të cilat nuk di ti shpjegoj dhe as të them se çfarë ishte. Kam dëgjuar zhurma që vinin nga lart natën, tinguj të çuditshëm. Më kanë rënë shumë herë objekte sipër pa e kuptuar sesi, libra, piktura nga muret” thotë ajo mes habisë dhe së qeshurës.

“Ndërsa një mikes sime po ashtu artiste në rezidencë një ditë nuk i hapej dera edhe pse ajo e kishte të vetmen kopje të çelësit dhe ishte e sigurtë që e kishte mbyllur vetë kur doli nga dhoma. Ka një prani të çuditshme këtu, e cila shkon përtej frikës së brendshme” thotë artistja franceze.
Ndërsa artistja arbëreshe Genny Petrotta, edhe ajo pjesë e rezidencës, thotë së frika përzihet shpesh me imagjinatën.
“ Frikë nuk kisha edhe aq por herë pas herë kujtohesha se po jetoja në shtëpinë e një vrasësi dhe dashje pa dashje, imagjinata të çon të mendosh për gjëra dhe ndjesi të ndryshme. Një hapësirë e tillë të ngjall frikë dhe imagjinatë së bashku” thotë ajo.
Por edhe artistët e tjerë nuk e fshehin një lloj frike që kanë ndjerë në fillimet e qëndrimit aty, sidomos natën kur gjithçka binte në heshtje.
Ernesto Sabato dhe arratisja nga Vila 31 në vitin 1996
Në vitin 1996. Shkrimtari argjentinas Ernesto Sabato, u ftua në Tiranë nga fondacioni i Vehbi Veliaj dhe nën kujdesin e shkrimtares Mira Meksi. Për të nderuar , një nga shkrimtarët më të mëdhenj të Amerikës Latinë, fjetja i ishte rezervuar në vilën 31.
Këtë e rrëfën Meksi, dëshmitare e afërt e atyre ditëve. Por ndodhi që Sabato në mëngjes nuk u gjend në vilë e kështu nisën kërkimet për shkrimtarin e madh, të cilin e gjetën në hollin e një hoteli të thjeshtë në qëndër të Tiranës.

I tmerruar dhe pa gjumë, ai kishte pohuar se natën kishte parë makthe, dhe se nuk kishte mundur të flinte asnjë sekondë më në vilën e një vrasësi.
Diktatorët kanë qënë gjithmonë njëfarë perëndie në lupen e popullit të tyre, ndërsa godinat ku ata kanë banuar, një lloj tempulli mistik, ku mendohej se kryheshin rituale jo të zakonta të udhëheqësit të madh. Ashtu si spekulimet shpesh me qasje hiperbolizuese ndaj anës tjetër të diktatorëve, kanë qënë dhe mbeten ende prezentë në ato vende të cilat vuajtën diktatin e tyre, edhe Shqipëria një vend me histori të gjatë diktati, nuk bën përjashtim.

Ndjesinë e një lloj ankthi dhe praninë e fantazmave të së shkuarës e ndjen sapo shkel në portën e asaj vile. Muret dhe dhomat e mbushura me heshtje, të ngjallin krupën e një kohe tjetër, ku brenda atyre mureve, edhe pse jetohej në luks dhe paqe, projektohej zezona e një populli të tërë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.