Ne rrjet

Brenda përplasjes mes Benjamin Netanjahut dhe Shin Bet-it në Izrael

Vendimi për shkarkimin e kreut të shërbimit të brendshëm të inteligjencës izraelite, ka tërhequr shumë kritika ndaj kryeministrit, i akuzuar se ka larguar ata që nuk mendojnë si ai

Gazeta Si – Vendimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu për të shkarkuar Ronen Bar, drejtorin e agjencisë Shin Bet, Shërbimi Sekret i Brendshëm izraelit, u kritikua shumë nga opozita dhe nga një pjesë e madhe e opinionit publik vendas.

Kjo lëvizje e “Bibi”-t, u interpretua për të forcuar pushtetin e tij dhe për të reduktuar mospajtimin e brendshëm, duke larguar njerëz që nuk ishin plotësisht në përputhje me pozicionet e tij.

Nuk është ende e sigurt që shkarkimi do të hyjë në fuqi: ai duhet të miratohet nga kabineti qeveritar që do të mblidhet këtë javë dhe gjithsesi opozita ka njoftuar tashmë një ankim në Gjykatën e Lartë. Nëse miratohet, Bar do të jetë drejtori i parë i agjencisë i shkarkuar në historinë 77-vjeçare të Izraelit.

Edhe vetëm njoftimi i shkarkimit është i rëndësishëm, megjithatë, sepse tregon një konflikt të brendshëm mes qeverisë dhe Shin Bet-it, i cili kishte kohë që vazhdonte.

Jo vetëm që marrëdhëniet personale midis Netanjahut dhe Bar-it janë të këqija, por në dy vitet e fundit Shin Bet ka hetuar përgjegjësinë e qeverisë për dështimin në parandalimin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe ka vënë në pikëpyetje menaxhimin e mëvonshëm të luftës dhe ka hapur hetime për disa skandale që përfshijnë bashkëpunëtorë të ngushtë të kryeministrit.

Benjamin Netanjahu me një delegacion që përfshinte Ronen Bar, me ushtarët në kufirin sirian në dhjetor

Ami Ayalon, ish-drejtoreshë e Shin Bet, tha: “Demokracia izraelite është në një kurs përplasjeje. Ky do të ishte një hap tjetër drejt transformimit të Izraelit në një shtet që ka prioritet besnikërinë personale ndaj liderit mbi gjithçka tjetër”.

Gazeta progresive “Haaretz” shkroi: “Ashtu si despotët e tjerë në histori, Netanjahu u zgjodh në mënyrë demokratike, por tani ai është i vendosur të shkatërrojë sistemin dhe të djegë të gjithë vendin nëse është e nevojshme”.

Me Mossad-in dhe shërbimet sekrete ushtarake, Shin Bet është një nga tre agjencitë e inteligjencës në vend: ajo merret kryesisht me luftën kundër terrorizmit dhe hetimin e akteve të spiunazhit dhe “tradhtisë”.

Megjithatë, ai ka edhe një funksion tjetër të përcaktuar nga ligji izraelit: mbrojtjen e institucioneve demokratike të vendit.

Ronen Bar ishte drejtor që nga viti 2021, i emëruar nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Yair Lapid dhe mandati i tij duhet të kishte zgjatur deri në vitin 2026.

Në shpalljen e vendimit për shkarkimin e Bar-it, Netanjahu tha se nuk mund të vazhdonte të punonte me të, veçanërisht “në mes të një lufte në të cilën mbijetesa jonë është në rrezik dhe në të cilën nevojitet besim i plotë”.

Ronen Bar, drejtor i Shin Bet në maj 2024

Bar, u përgjigj me një deklaratë, ku tha se “kërkesa e kryeministrit për besnikëri personale, qëllimi i së cilës bie ndesh me interesin publik, është një pritshmëri thelbësisht e gabuar, e cila qëndron në kundërshtim të drejtpërdrejtë me mandatin e Shin Bet”.

Në dy vitet e fundit, agjencia ka punuar në disa hetime që përfshijnë Netanjahun dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt: zyra e kryeministrit u akuzua se kishte fshehur ose flsifikuar disa raporte që tregonin se si ushtria kishte paralajmëruar qeverinë disa orë përpara fillimit të sulmeve të Hamasit; Eli Feldstein, Israel Einhorn dhe Yonatan Urich, bashkëpunëtorët e tij kryesorë, u akuzuan se i kishin kaluar dokumente ushtarake top-sekret gazetës gjermane “Bild” për qëllime politike (duke përfaqësuar familjet e pengjeve të manipuluara nga Hamasi).

Raporti përfundimtar për gabimet e bëra më 7 tetor tregon përgjegjës të rënda të qeverisë. Për më tepër, javët e fundit është hapur një hetim i ri, i cili ka të bëjë sërish me tre bashkëpunëtorët kryesorë të Netanjahut.

Ata akuzohen se kanë marrë përfitime personale nga marrëdhëniet me qeverinë e Katarit. Pasurimi personal në marrëdhëniet me Katarin, ose korrupsioni i mundshëm, do të ishte veçanërisht serioz në Izrael.

Qeveria e Katarit është përmendur vazhdimisht mes financuesve të Hamasit, përpara se të bëhej një nga ndërmjetësit kryesorë për negociatat e paqes në këtë luftë.

Benjamin Netanyahu (i dyti nga e majta) dhe Ronen Bar (djathtas) në Gaza në nëntor. Në të majtë, Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe i dyti në të djathtë, gjenerali Herzi Halevi

Dihet pak për këtë histori, sepse shtypi izraelit nuk mund të shkruajë për të për shkak të një vendimi gjyqësor, i cili përmend arsye sigurie. Sipas Yair Lapid, një nga drejtuesit e opozitës, largimi i Bar-it ka “qëllim për të sabotuar hetimin”.

Javën e kaluar, Netanjahu akuzoi Bar-in për kryerjen e “një fushate në shkallë të gjerë zhvatjeje dhe kërcënimesh” kundër tij dhe në dy vitet e fundit partitë e ekstremit të djathtë që mbështesin qeverinë kanë kërkuar vazhdimisht shkarkimin e tij.

Gazetat më të afërta me Netanjahun e kishin akuzuar gjithashtu Bar-in si “të dobët” dhe se nuk dinte të negocionte me Hamasin (qeveria izraelite kohët e fundit e kishte hequr Bar-in nga ekipi negociator).

Pas 7 tetorit 2023, qeveria e Netanjahut u përpoq të vendoste përgjegjësinë e plotë për dështimin për të parashikuar dhe luftuar sulmet e Hamasit ndaj ushtrisë dhe Shin Bet.

Përplasjet vazhduan më pas, për shkak të mosmarrëveshjeve se si të luftohej Hamasi dhe të menaxhohej lirimi i pengjeve.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu gjatë një inspektimi në kufirin me Gazën

Si përgjigje ndaj këtyre përplasjeve, muajt e fundit Netanjahu ka zëvendësuar ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant me aleatin e vjetër të Izraelit.

Katz pranoi dorëheqjen e Shefit të Përgjithshëm të Shtabit Herzi Halevi, i cili mori përgjegjësinë për dështimin e 7 tetorit dhe shmangu gradimin gjeneral të Daniel Hagarit, i hequr nga posti i zëdhënësit të ushtrisë, pasi konsiderohej tepër kritik ndaj disa vendimeve të qeverisë.

Largimi i drejtorit të Shin Bet dukej si një operacion më kompleks dhe problematik politik, pikërisht për shkak të mungesës së precedentëve dhe disa mbrojtjeve ligjore që mund të apelonte opozita.

Gali Baharav-Miara, Prokurorja e Përgjithshme e shtetit, ka njoftuar tashmë synimin e saj për të shqyrtuar ligjshmërinë e procedimeve.

Ajo është një tjetër nga kundërshtarët e paktë të mbetur të Netanjahut në nivele të larta: shumë media izraelite besojnë se ajo mund të jetë zyrtarja e radhës që do të shkarkohet.

Nëse shkarkimi i Bar-it përfundon, Netanjahu mund të zgjedhë ta zëvendësojë atë jo me një nga zëvendësit e tij aktualë, zgjidhja më e zakonshme, por me një funksionar jashtë linjës, më besnik dhe të rreshtuar.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë