Prej muajsh, Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit është shndërruar në një kantier ndërtimi, shfaqjet e trupës janë zhvendosur kryesisht në skenën e Pallatit të Kongreseve, ndërsa administrata, diku në mjediset e Ministrisë së Kulturës. Ministrja e sapo emëruar Elva Margariti, ka shkuar të inspektojë punimet nga afër, ndërsa njoftimi për shtyp i ministrisë, thotë se puna tashmë ndodhet në një fazë kulmore, pasi është ndërhyrë në ndërtim, strukturë, interier, si edhe në instalime mekanike dhe elektrike. Është hera e parë, pas gjashtëdhjetë vitesh ekzistencë, që kjo godinë i nënshtrohet rikonstruksionit, ndërsa investimi kap shifrën e 1,5 miliard lekëve.

Projekti për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Baletit synon të shumëfishojë hapësirat për publikun dhe artistët, duke u siguruar këtyre të fundit ambiente më komode për prova.Rehabilitimi ka në plan të ndërrojë edhe të gjithë pajisjet e vjetra, të viteve ’50, duke i automatizuar. Drejt përfundimit, bën të ditur Ministria, janë Platforma e re e Publikut, ballkonet e reja, sistemi i ri i akustikës, gropa e re e orkestrës dhe nënskena.
Gjithashtu po punohet edhe me izolimin termik, rritja e vëllimit të godinës, ballkonet e skenës, galeritë e auditorit, sallat e provave me panele të lëvizshme, perdet e lëvizshme dhe dyshemetë. Ndryshim, veç mjediseve të brendshëm, sipas njoftimit të ministrisë, do të pësojë edhe fasada e Teatrit të Operas dhe Baletit. Projekti, ka deklaruar ministrja Margariti, synon t’i rikthejë dinjitetin e munguar artistëve, ndërsa ka bërë të ditur se do të përfundojë në fund të 2019-ës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








