Mendim

Bregu: Duhet një qëndrim për anëtarësimin të Ballkanit

Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu në Konferencën e “Miqve të Europës” për të ardhmen e Ballkanit në Bruksel u shpreh se ka ardhur koha për ti dhënë fund shtirjes dhe të ketë një qëndrim të qartë për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.

“BE-ja duhet të respektojë Traktatin e vet e të ketë një qëndrim të qartë për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor. Falënderojmë Presidenten Ursula von der Leyen të Komisionit Europian që ka artikuluar vizionin e Europës si kontinent. Në shpresojmë që ky do të jetë objektivi dhe qasja e të gjitha Shteteve Anëtare të BE-së. Ndërsa ne në rajon duhet të përveshim mëngët e të përmbushim tërësisht objektivat e reformave tona, duke lënë mënjanë hidhërimin dhe zhgënjimin që ekziston në rajon,” tha Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së.

Ajo e cilësoi momentin aktual si ndoshta krizën më të madhe në marrëdhënien politike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që prej vitit 1999.
Që prej këtij momenti e deri në Samitin e ardhshëm të Ballkanit Perëndimor, u shpreh Bregu në fjalën e saj, të gjithë do të presin me padurim marrjen e vendimit nga BE-ja, por kush mund të garantojë që reformat do të nxiten me forcë dhe seriozitet?

Unë shpresoj shumë, tha Bregu, që vendimi jo vetëm për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, por edhe për të ardhmen e të gjithë procesit të integrimit dhe të anëtarësimit të vendeve të tjera të rajonit, të mos ndikojë së tepërmi e të zhgënjejë administratën publike, e cila më shumë se organet e tjera duhet të jetë e motivuar për të ecur përpara me reformat.

“Pavarësisht faktit që rajoni ka pritshmëri të mëdha nga Presidenca kroate e Këshillit të BE-së, nuk do të tregoheshim të zgjuar apo me vizion, në rast se do të prisnim që vetëm Kroacia, Gjermania apo Franca do të mund ta ndryshonin drejtimin e erërave të ftohta që po fryjnë në Ballkan. Megjithatë në rast se ne nuk shpalosim përparim të besueshëm në procesin e anëtarësimit, do të na kthehet bumerangu, do të bjerë oreksi për reforma, do të rritet konflikti ndërpartiak e do të ketë mungesë stabiliteti.” – tha Bregu duke shtuar se me anën e qasjes gjithëpërfshirëse ne duhet të mendojmë se si do të krijohet një shtysë e re për ta rigjallëruar procesin, duke ofruar stimuj të tjerë e duke mos krijuar pengesa të reja.

Sekretarja e Përgjithshme Bregu theskoi rëndësinë e rinisë dhe lidhjes me perspektivën e tyre dhe perspektivën e BE-së për rajonin. “61% e të rinjve në rajon e mbështesin integrimin në BE, por në të njëjtën kohë e njëjta përqindje të rinjsh është e gatshme të largohet, në rast se nuk shikojnë arritje të qarta apo përmirësime në standarde në vendet e tyre. Në këtë zonë ekonomike rajonale duhet t’u japim të rinjve mundësinë të udhëtojnë lirshëm brenda rajonit. Prandaj ne kemi punuar fort që të njihen diplomat dhe kualifikimet profesionale në rajon, sipas modelit të BE-së. Kjo u jep shansin të rinjve që, po të duan, të shkojnë në një vend tjetër të rajonit për të punuar. Kjo është, po ashtu, edhe mënyrë e mirë për të luftuar papunësinë dhe rrjedhjen e trurit.” - u shpreh Bregu.

Seanca e parë e punimeve të konferencës kishte temën “Të vallëzosh pa partner? Të ecësh mes zhgënjimit, dëshpërimit dhe shpresës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë