Katar 2022

Brazili i Nejmarit, ylli i një gjenerate humbësish

Gazeta Si – Suksesi i fundit i Brazilit në Kupën e Botës është ai i 2002-shit. Që atëherë janë katër pjesëmarrje, ku Seleçao është nisur si favorit, por ka pësuar vetëm zhgënjime dhe tre të fundit janë të ‘epokës’ së O Ney…

Lotët e Nejmarit, lotët e Brazilit, lotët e një skuadre që kishte gjithë mjetet për të fituar në Katar. Por u ndal te shtylla e Markuinjos, u eliminua me penallti nga Kroacia, që e çoi Brazilin në ferr. Siç po ndodh prej 20 vitesh. Janë 20 vite përpjekjesh të kota për Kupën e 6-të.

Nejma dhe Dani Alvesh pas eliminimit nga Boterori. Gazeta Si, 11 dhjetor 2022

Ajo Kupë e fituar në 2002-shin në Korenë e Jugut dhe Japoni, ku brazilianët mundën Gjermaninë në finale 2-0, tashmë ka zënë pluhur. Ata që e fituan po plaken.

Nejmar ka qenë njeriu simbol i futbollit brazilian vitet e fundit. Futbollit që çdo 4 vjet i frohet trofeut të rëndësishëm në rolin e favoritit kryesor. Dhe pastaj kthehet rregullisht në shtëpi para kohe. Me duar bosh. Këto 20 vjet ka fituar gjithmonë një skuadër europiane.

Është një kohë shumë e gjatë për një vend që prodhon talente pa fund, por që humb. Franca në 2006-ën, Holanda në 2010-ën, Gjermania në 2014-ën me 1-7-ën e tmerrshme, Belgjika në 2018-ën dhe së fundi Kroacia. Një seri dështimesh të pabesueshme, por thuajse gjithmonë të merituara, që gjunjëzojnë një vend prej më shumë se 200 milionë njerëzish. Që e heshtin.

Edhe Nejmar ka heshtur. Aventura e tij e tretë botërore përfundoi keq, si dy të mëparshmet. Por këtë herë është ndryshe. Sepse dy shokët e tij të skuadrës, Mbape dhe Mesi, janë ende në garë. Dhe sepse me shumë mundësi Nejmar nuk do të ketë një shans të katërt.

Nejmar qan pas eliminimit nga Kroacia. Gazeta Si, 11 dhjetor 2022

Në tetor ai ka thënë: “Medoj se Katari është Botërori im i fundit. Nuk e di, nëse do të kem më forcën mentale të përballoj futbollin”. Dhe kështu, mund të mbetet një ‘mbret’ pa ‘kurorë’. Si të tjerë para tij, nga Pushkash te Krujf, Di Stefano dhe Jashin, Baxho dhe Di Stefano. Deri te Kristiano Ronaldo, që po përjeton rënien me një Portugali të paktën të bukur.

Kështu O Ney, që ndaj Kroacisë shënoi golin e 77-të me Brazilin, duke barazuar Pelenë, rrezikon të jetë një simbol. Por simboli i një gjenerate humbësish. Edhe pse vetëm me fanellën e verdhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë