Zv.Kryeministri Erjon Braçe akuzon kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha për qëndrim me dy standarde. Braçe thotë se Basha duhet të ndajë mendjen nëse është në luftë me oligarkët, apo në luftë për oligarkët, duke iu referuar deklaratave të kreut të PD-së kundër vendimit të qeverisë për pezullimin e qirave.
Partia Demokratike ka qortuar vendimin e Qeverisë për shtyrjen e qirave. Opozita thotë se ky vendim nxit përplasje sociale dhe si alternativë ka nënkuptuar politika ku shteti merr përsipër shlyerjen e detyrimeve në emër të qiramarrësve ndaj qiradhënësve.
Braçe këtë qëndrim e cilëson radhitje në krah të oligarkëve.
“Qiradhënësit më të mëdhenj në këtë vend nuk janë njerëzit e zakonshëm, ata japin me qira një apartament. Qiradhënësit e mëdhenj në këtë vend janë ata që zotërojnë mijëra katrorë sipërfaqe të pasurive të paluajtshme. Pasuritë e mëdha në sistemin e qiradhënies i kanë ndërtuesit e mëdhenj dhe pronarët e trojeve ku kanë ndërtuarë të parët e tyre”, shkruan zv.Kryeministri.
Brace thotë se ndërtuesit e mëdhenj, Lulzim Basha i ka sulmuar si oligarkë dhe nënkupton se kreu i PD-së është vënë në mbrojtje të atyre që i kanë krijuar këto prona përmes favoreve të njëanshme, klienteliste, dokumentave të falsifikuara me dëshmitarë të rremë e gjyqtarë të blerë me para e troje.
“Turp është të mos deklarosh në tatime kontratat e qirasë dhe të ardhurat marramendëse prej tyre. Turp, mbi të gjitha është që të në këtë situatë të rëndë të mos pranosh as shtyrje të arkëtimit të fitimeve nga qiraja, asnjë ditë, asnjë javë dhe as dy muaj. Akoma më turp është kur llogarinë e ke përplot, por kalon në histeri për vonesën e stërmbushjes së saj me dy muaj”, shton Braçe.
Braçe thotë se qiradhënësit e mëdhenj janë pjesë e opozitës, që kryejnë evazion fiskal me deklarimin e të ardhurave të siguruara nga qiraja dhe u bën thirrje organeve tatimore që këtë ta bëjnë objekt të punës së tyre.
“Turp fare, fare, fare është të përdorësh pozitën tënde politike për paratë e tua, hem si qiradhënës, hem si bosi politik i qiradhënësit të madh. Tani një pyetje kam për tatimet? A e dëgjuat sa e madhe dhe sa e fortë ishte histeria e qiradhënësve politikë dje? A e kuptoni sa i madh është evazioni fiskal i tyre? Këta janë objekti i punës suaj, jo vetëm njerëzit e zakonshëm me nga 60 m2 pasuri”, mbyll reagimin e tij zv.Kryeministri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.