Erion Braçe akuzoi në Komisionin e Ekonomisë se personalizimi i politikave fiskale dhe eksperimentet në këtë sektor po dëmtojnë sektorin e bujqësisë.
Ai nuk e përmendi në emër, por nënkuptoi se pas politikave të paqëndrueshme fiskale dhe të taksimit në këtë sektor qëndron Arben Ahmetaj.
“Problemi këtu është te personalizimi i politikave fiskale. I kemi thënë këtu 3 vite më parë ministrit të Financave mos e bëj këtë se do të bësh dëm. Tre vite më parë ja kemi thënë dhe ja ku jemi sot këtu dhe e kemi bërë dëmin”, tha Braçe.
Deputeti socialist i referohet në këtë deklaratë ndryshimeve të 2018-s të propozuara në atë kohë nga ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj për uljen e rimbursimit të TVSh-së nga 20 për qind në 6 për qind për qumështin. Vendimi pasoi protestat e fermerëve dhe çoi në uljen e çmimit me të cilën grumbulluesit blinin këtë produkt.
Erion Braçe tha se ka ardhur koha që t’i jepet fund pasigurisë fiskale në këtë sektor.
“Politikat që lidhen drejtpërdrejtë me bujqësinë janë të paqëndrueshme, kini parasysh që një politikë fiskale të paqëndrueshme ka probleme në një sektor që punon në qiell të hapur. I gjithë mundi dhe të ardhurat që fermerët pretendojnë nga puna e tyre me pasigurinë e motit, t’u shtohet një tjetër hall që vjen nga paqëndrueshmëria e politikave qeverisëse, për fermëerin është shumë. Te bujqësia kjo paqëndrueshmëri nuk mban më”, tha ai.
“Na duhet sot qëndrueshmëria e politikave në bujqësi, qëndrueshmëria e skemave të mbështetjes. Ta dijë bujku që në 4 vite politika e mbështetjes së tij do të jetë kjo skemë, ta dijë nëse në blegtori do të jetë subvencioni për litra, apo për kokë bagëti. Fy vite për litër dhe dy vite për kokë bagëti nuk shkon, nuk mbështet bujqësinë. Taksimi i paqëndrueshëm dhe nuk ndihmon prodhimin në fshat. Taksimi nuk e ka ndihmuar dhe paqëndrueshmëria në taksim ka krijuar probleme të mëdha për fermerin”, u shpreh ai.
Braçe akuzoi edhe grumbulluesit për krijimin e qarqeve të mbyllura dhe imponimin e çmimit në treg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.