Nga Terry Gilliam tek Andy Warhol, David LaChapelle te Jeff Koons dhe Lady Gaga: piktorët, stilistët, fotografët bashkëkohorë janë mahnitur nga sharmi i përjetshëm i Botticellit dhe veprave të tij. Veprat e tij vazhdimisht rilexohen dhe rishikohen dhe sjellin mijëra vizitorë çdo vit nëpër galeri.
Megjithatë, për më shumë se treqind vjet pas vdekjes së tij, piktori fiorentin ishte pothuajse plotësisht i harruar, deri në rizbulimin e tij në shekullin e nëntëmbëdhjetë nga shkrimtari, piktori, poeti dhe kritiku i artit britanik,, John Ruskin. Në fund të fundit, Alessandro di Mariano di Vanni Filipepi, i njohur si Botticelli (Firence 1445 c.-1510), është ndoshta artisti që më shumë se kushdo tjetër ishte në gjendje të kapte frymën e kohës së tij.
Është pikërisht historia, arti dhe rizbulimi i tij bashkëkohor që janë protagonistët e Botticelli-t dhe Firences. “Lindja e Bukurisë”, dokumentari, me zërin rrëfyes të Jasmine Trinca, prodhuar nga Sky, Ballandi dhe Nexo Digital do të mbërrijë në kinema në datat 24, 25, 26 janar.
Në dokumentar, rishfaqjet e ëndrrave, imazhet ndjellëse të qytetit dhe xhirimet e veprave të jashtëzakonshme alternohen me zërat e ekspertëve kryesorë, studiuesve, historianëve ndërkombëtarë të artit që rrëfejnë shkëlqimin dhe kontradiktat e Firences, duke zbuluar një artist të përmasave të mëdha gjatëë Rilindjes Italiane.
Me Lorenco-n e Madhërishëm, ekuivalenca midis Artit dhe Pushtetit manifestohet në çdo sferë ekonomike, politike dhe sociale dhe shprehet në piktura, afreske, pallate dhe kisha. Artistët e jashtëzakonshëm që punojnë me dyqanet e tyre në zemër të qytetit e shndërrojnë Firencen në një muze të hapur: këto janë vitet e pranverës fiorentine, zbulimi i Amerikës, konfliktet me Papën, betejat midis familjeve të mëdha bankare dhe tregtarëve. Në fund të shekullit të pesëmbëdhjetë, Firence është e krahasueshme me Nju Jorkun e viteve tetëdhjetë, e përbërë nga zgjerimi ekonomik dhe kulturor, me tregti dhe shkëmbime nga kudo.
Dokumentari e gjurmon atë periudhë përmes syve të Botticelli-t, i cili përfaqëson ato vite në veprat e tij, duke shprehur karakterin e bashkëqytetarëve të tij në pasionin për punën, në konkurrencën dhe shkathtësinë ekstreme, në njohurinë se si të thurin marrëdhëniet e duhura shoqërore dhe duke ditur të kënaqë gjithmonë dëshirat e klientëve publikë dhe privatë.
Në kujtesën e përbashkët, shpirti i Botticelli-t gjendet para së gjithash në dy nga kryeveprat e tij: “Primavera” (1478-82) dhe “Lindja e Venusit” (1483-85). Hiri dhe harmonia mbijnë në “Primavera”, po aq sa qindra lule të ndryshme.
Eterike dhe perfekte, kopshti i Pranverës është sinteza e filozofisë neoplatonike në “oborrin” e të Madhërishmes. Me Rilindjen, në fakt, ka ardhur koha për kthimin e perëndive të lashta: Botticelli u jep jetë të re miteve duke krijuar kështu veprat e tij më të famshme dhe enigmatike sot të njohura si “mitologjitë botiçeliane”.
Me Pallas dhe Centaur (rreth 1482) dhe Venus dhe Mars (rreth 1483) piktori sjell perëndeshat dhe perënditë e Greqisë së lashtë në zemër të Firences në shekullin e pesëmbëdhjetë, në kërkimin e vazhdueshëm dhe të ethshëm për një model bukurie që shkon përtej përfaqësimit të realitetit, përtej akademisë. Lindja e Venusit (1483-85) është emblema dhe realizimi konkret i aspiratës së tij. Figurat me gjymtyrë të gjata, kthesa të buta dhe harmonike: fytyrat e Venusit të Botticellit janë pasqyruar në ato të madonave të tij dhe anasjelltas. Të ngjashme por unike, ato janë të destinuara të nguliten në kujtesën kolektive si një prototip i bukurisë ideale, duke sfiduar shekujt dhe modat.
Por në vitin 1492 gjithçka ndryshoi. Vdekja e “Lorenzo Il Magnifico” shënon fundin e një epoke. Zjarret e kotësive sakrifikojnë simbolet e kohës, duke përfshirë veprat e artit. Është shumë pak të thuhet që shijet e fiorentinëve të përshtaten me porositë e fratit domenikan. Komisionet ndryshojnë dhe vetë Botticelli përshtatet duke krijuar kryevepra të tjera si “Vajtimi mbi Krishtin e Vdekur” (1495-1500), duke parë butësinë e formave t’i lënë vendin linjave të thyera dhe kontrasteve të dhunshme kromatike.
Pas një harrese prej më shumë se tre shekujsh, do të bëhet dhe rizbulimi i tij. Botticelli ka vazhduar nga shekulli i nëntëmbëdhjetë e deri më sot, duke prekur fotografinë, modën, botën e argëtimit.
Në film, arti i Botticelli-t hetohet përmes ndërhyrjeve të ekspertëve: Alessandro Cecchi, drejtor i muzeut Casa Buonarroti në Firence; Ana Debenedetti, kuratore e seksionit të vizatimeve dhe pikturave të Muzeut Victoria & Albert në Londër; Franco Cardini, profesor i Historisë Mesjetare në Universitetin e Firences; Jonathan Nelson, profesor i historisë së artit në Universitetin e Sirakuzës në Firence etj.
Nga Maria e mrekullueshme te Ferri i Dantes dhe te Pietà, nga perënditë e lashta të mitologjisë helene te Zoti apokaliptik i Savonarola janë vepra që kanë kapërcyer barrierat e hapësirës dhe kohës për të arritur tek ne, ndërsa turma entuziaste vazhdojnë të mbushin dhomat e Muzeut për ta takuar atë, Sandro Botticellin, shpikësin e së Bukurës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.