Futboll

Botërori i klubeve 2025, 21 skuadra të kualifikuara deri tani! Inter dhe Juve nga Italia

Gazeta Si – Vetëm pjesëmarrja garanton 50 milionë dollarë. Aktiviteti zhvillohet në SHBA, nga 15 qershori deri më 13 korrik.

Po plotësohet gradualisht tabloja e skuadrave të kualifikuara për Botërorin e klubeve 2025. Me kualifikimin e Juventusit, shkon në 21 numri i skuadrave që kanë në dorë biletën për kompeticionin e ri dhe të pasur.

Do të jenë 32 skuadra pjesëmarrëse, që vijnë nga 6 kontinente. Ato do të ndahen 8 grupe me nga 4 skuadra secila dhe 2 të parat shkojnë në 1/8-at. Interi dhe Juventusi, që do të jenë në grupe të ndryshme, do të luajnë të paktën 3 ndeshje.

Europa ka përfaqësimin më të gjerë në këtë event: 12 skuadra, nga të cilat 10 tashmë janë të sigurta. Ato janë Çelsi, Real Madrid, Mançester Siti, Bajern Mynih, Borusia Dortmund, Interi, Juventusi, Porto, Benfika dhe PSG. Për një vend luajnë Atletiko Madrid dhe Barcelona për Spanjën, kurse tjetri do të vendoset mes fituesit të Champions 2024 dhe Salcburgut.

Nëse kampionët e ardhshëm të Europës do të jenë një nga skuadrat e kualifikuara, të drejtën e pjesëmarrjes e fitojnë austriakët, për shkak të renditjes më të mirë. Vetëm Arsenali dhe PSV –ja mund t’ia marrin vendin Salcburgut.

Pjesa tjetër e botës ka deri tani 11 skuadra të klualifikuara, ku brazilianët e Flamengos, Palmeirasit dhe Flumineses janë më të të fortat në letër. Jashtë ka mbetur Al Nasr i Kristiano Ronaldos, e eliminuar nga Championsi aziatik. Ka ende shpresa kualifikimi Inter Miami i Leo Mesit, nëse fiton CONCACAF Champions Cup.

Për të ardhurat flitet për një shifër prej 2.5 miliardë dollarësh në total. Vetëm pjesëmarrja vlen 50 milionë dhe rritet deri në 100 milionë në rast fitoreje.

21 skuadrat e kualifikuara
Al Ahli (Egjipt)
– Fitues i CAF Champions League 2020/21 dhe 2022/23
Uidad (Marok) – Fitues i CAF Champions League 2021/22
Al Hilal (Arabia Saudite) – Fitues i AFC Champions League 2021
Urava Red Diamonds (Japoni) – Fitues i AFC Champions League 2022

Çelsi (Angli) – Fitues i Champions League 2020/21
Real Madrid (Spanjë) – Fitues i Champions League 2021/22
Mançester Siti (Angli) – Fitues i Champions League 2022/23
Bajern Mynih (Gjermani) – Ranking UEFA
PSG (Francë) – Ranking UEFA
Inter (Itali) – Ranking UEFA
Porto (Portugali) – Ranking UEFA
Benfika (Portugali) – Ranking UEFA
Borusia Dortmund (Gjermani) – Ranking UEFA
Juventus (Itali) – Ranking UEFA

Monterrei (Meksikë) – Fitues i Concacaf Champions Cup 2021
Siatëll (SHBA) – Fitus i Concacaf Champions Cup 2022
Klub Leon (Meksikë) – Fitues i Concacaf Champions Cup 2023 Aukland Siti (Zelandë e Re) – Ranking OFC
Palmeiras (Brazil) – Fitues i Libertadores 2021
Flamengo (Brazil) – Fitues i Libertadores 2022
Fluminense (Brazil) – Fitues i Libertadores 2023


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë