Sezoni 2024 në Formula 1 ishte një ndër më të bukurit në historinë e sportit dhe i pari me 24 gara. Pas një viti që rezervoi nga fitoret e para në karrierë te duelet për titull apo dhe kohën identike në “pole position”, le të shohim disa prej statistikave më të rëndësishme në shpejtësinë e pastër…
- 0.725 sekonda
Kjo ishte diferenca mes Max Verstappen dhe Lando Norris në përfundim të “Emilia Romagna Grand Prix”. Pas fitores së britanikut në Miami, kjo ishte diferenca e dytë me e ngushtë e sezonit. E thyer nga ajo e Oscar Piastri-t që përfundoi 0.647 sekonda pas Lewis Hamilton në Belgjikë.
- 2
Maksimumi i numrit të garave të fituara rradhazi nga një pilot – dhe ai ishte Verstappen që fitoi në Kanada dhe Spanjë. Prej atij momenti patëm fitues të ndryshëm në 14 garat që pasuan. Për të ilustruar rëndësinë e kësaj statistike mjafton të përmendim që Verstappen një vit më parë fitoi 10 gara rradhazi.
- 3
Numri i debutuesve gjatë vitit 2024. Franco Colapinto erdhi nga Formula 2 në “Italian Grand Prix” si zëvendësues i Logan Sargeant te Williams. Pikët e para i mori në garën e dytë në Azerbaijan. Piloti i Alpine për 2025, Jack Doohan, debutoi më herët seç pritej kur zëvendësoi Esteban Ocon në Abu Dhabi. Por debutimi i paharrueshëm ishte ai që Ollie Bearman bëri te Ferrari kur zëvendësoi Carlos Sainz në “Saudi Arabian Grand Prix”. Gjatë sezonit ai pilotoi edhe për Haas me të cilët do të garojë sezonin e ardhshëm.
- 7
Eshtë numri i pilotëve që fituan të paktën një garë në 2024 – diçka që për të fundit herë kishte ndodhur në vitin 2012. Norris dhe Piastri arritën fitoret e para në karrierë, britaniku shtoi edhe 3 të tjera, ndërsa australiani nuk shkoi më larg se bis. Në kontrast me ta, Hamilton në Silverstone fitoi garën e 104 – e para pas 945 ditësh ose ndryshe prej “Saudi Arabian Grand Prix” në vitin 2021.
- 10
Numri i pilotëve që u ngjitën në podium. Duelet mes Red Bull, McLaren, Ferrari dhe Mercedes panë këto skuadra të dominonin pjesën e parë të sezonit. Ndërsa në Sao Paulo, Brazil, Esteban Ocon dhe Pierre Gasly zhvilluan një garë historike duke u ngjitur të dy në podium për Alpine.
- 14
Diferenca e pikëve mes McLaren dhe Ferrari-t në klasifikimin e konstruktorëve në fund të sezonit. Nëse skuadra “papaya” parakaloi Red Bull në raundin e 18 në Singapor, “Scuderia” vendosi dy makinat e saj në majë në “United States Grand Prix” dhe një javë më pas fitoi në Meksikë me Carlos Sainz. Kaq mjaftoi që të niste një duel mes italianëve dhe britanikëve që përfundoi vetëm në Abu Dhabi ku McLaren rrëmbeu kurorën me diferencën më të ngushtë që prej ditës së parë kur hyri në fuqi sistemi aktual i pikëzimit.
- 16
Ishin pozicionet e rekuperuara nga Max Verstappen dhe Charles Leclerc në garat e zhvilluara në Brazil dhe Abu Dhabi. Masterklasi i Verstappen në Sao Paulo ndoshta nuk ka nevojë për koment pasi holandezi u ngjit nga vendi i 16 në të 1-in në kushte të paqëndrueshme atmosferike. Ndërsa Leclerc rrëmbeu vëmëndjen në Abu Dhabi ku u rendit në vendin e 3 pas nisjes nga i 19-ti.
- 26
Vitet e pritjes së McLaren për titullin e konstruktorëve. Triumf që në fillimin e sezonit dukej e pamundur. Por skuadra nga Woking që ndërtimin e suksesit e kishte nisur një vit më parë, fitoi 6 gara dhe grumbulloi 666 pikë për të mundur austriakët dhe fituar titullin e parë prej vitit 1998. Kohë kur Norris dhe Piastri nuk kishin lindur ende…
- 9723
Ditët nga i fundit “pole position” identik. Këtë sezon ndodhi në “Canadian Grand Prix” kur George Russell dhe Max Verstappen e ndaluan kronometrin në kohën 1 minutë 12 sekonda në sesionin e 3 kualifikues. Mqs Russell e vendosi këtë kohë përpara Verstappen, britaniku u nis nga “pole” ditën e garës. Për të fundit herë kjo kishte ndodhur në Tetorin e vitit 1997 kur Jacques Villeneuve, Michael Schumacher dhe Heinz-Harald Frentzen vendosën të njëjtën kohë në Provat Zyrtare në Jerez.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.