Atletike

Botërori i Atletikës/ Nga Fraser te Duplantis, yjet që nuk duhen humbur

Gazeta Si – Starton Botërori i Atletikës. Jo pak, por 36 nga 44 kampionët individualë të ‘Eugene 2022’ do të garojnë edhe në Budapest, në stadiumin pranë Danubit, ku për 9 ditë nga sot spektakli do të jetë i garantuar. Yjet janë të shumtë.

E vërteta është se pasardhësi i Usain Bolt nuk është gjetur ende (nëse do të gjendet ndonjëherë), por është po ashtu e vërtetë se kampionët e prestigjit në Botërorin e Hungarisë nuk mungojnë. Për ta nisur nga femrat, jo thjesht për të qenë kavalierë, spikat Shelly-Ann Fraser, xhamajkiania ‘vetëtimë’ që në moshën 36-vjeçare, me 152 centimetrat e saj, kërkon suksesin e 6-të në 100 metrave (në 8 edicione, i pari në Berlin 2009).

Shelly Ann Fraser (ne mes), pas nje fitoreje. Gazeta Si, 19 gusht 2023

Specialistja e shpejtësisë, apo siç e thërrasin ‘Mommy rocket’, ka fituar edhe 2 medalje ari, 1 argjendi dhe 1 bronzi në Olimpiada. Nënë prej 6 vitesh, ajo ka bërë historinë: askush në nivel individual nuk ka fituar më shumë se 4 medalje ari botërore. Tani synon të bëhet legjendë dhe nëse ia del, do të barazonte mitikun Sergei Bubka, 6 herë radhazi kampion në kërcimin me shkop.

Shelly-Ann nuk është e vetmja që mund të imitojë Bubkën. Është edhe 34-vjeçari Pavel Fajdek, lavdia e Polonisë, që në hedhje çekiçi fiton pa ndërprerje që nga Moska 2013. Mutaz Basrjim në kërcim së larti kërkon medaljen e 4-t radhazi.

Pastaj është edhe Armand Duplantis që në kërcimin me shkop kërkon rekordin e radhës. Sportisti 23-vjeçar suedez ka shansin ideal në Budapest për të përmirësuar rekordin e tij.

Në garën e 1500 metrave për meshkuj e gjithë vëmendja do të jetë te norvegjezi Jakob Ingebrigtsen. Karsten Warholm, mbreti i 400 metrave me pengesa, pritet të dhurojë sërish spektakël.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë