Gazeta Si – Një 39-vjeçar shqiptar, i cili është i dënuar në Britani të Madhe me 25 vite burgim për trafik kokaine në sasi të mëdhar, është transferuar në Shqipëri për të vuajtur dënimin.
Sipas gazetës “Telegraph”, Erald Mema u transferua për shkak të marrëveshjes Shqipëri-Britani e Madhe për të dënuarit shqiptarë në Angli.
39-vjeçari shqiptar konsiderohet si “një nga 40 kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë të dënuar në Britani”.

Por për shkak të legjislacionit shqiptar, “Telegraph” ngre shqetësimin se 39-vjeçari mund të lirohet shumë më herët në Shqipëri dhe mund të mos vuajë as gjysmën e dënimit që ka marrë në Britani. Kjo për shkak se ligji shqiptar parashikon deri në 15 vite burg maksimalisht për trafikantët e drogës si në rastin e Erald Memës.
Transferimi i tij për të kryer dënimin në vendin tonë është pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Britani për rreth 200 të dënuar shqiptarë në Angli që ta vuajnë dënimin në vendin tonë.
Kjo bëhet për të trajtuar mbipopullimin e burgjeve në Angli. Dhe për këtë Britania e Madhe i jep Shqipërisë 5 milionë Euro që të investojë në sigurinë dhe kushtet e burgjeve, por dhe për të përballuar kostot e jetesës për çdo të dënuar.
Nëse Erald Mema përfiton nga lirimi me kusht në Shqipëri, atëherë do të vuajë 10 vite dënim. Ai u dënua nga Gjykata e Oksfordit në vitin 2018 dhe u shpall fajtor për trafikimin në Britani të sasive të mëdha të kokainës me vlerë miliona Paund, dhe si kreu i organizatës kriminale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




